Trahanaja një ushqim i përsosur dhe kurativ
Trahanaja është një ushqim i lashtë, që përftohet nga fermentimi i drithrave, kryesisht grurit, i cili e bën atë më të shijshëm dhe rezistent në kohë. Por fermentimi nuk përforcon vetëm shijen dhe aromën e një ushqimi, ai e bën atë veçanërisht ushqyes, duke i bërë lëndët e tij ushqyese më të përthithshme.
Për të arritur fermentimin, nënat tona e kanë bërë trahananë me kos, i cili disponon bakteret e nevojshme për të përpunuar miellin e grurit.
Ky proces kryhet nëpërmjet enzimave të caktuara të cilat shpërbëjnë fitatet që mbajnë të bllokuara minerale të ndryshme dhe nuk i lënë ato të kalojnë muret e aparatit tretës. Për këtë arsye, trahanaja është një ushqim i pasur në hekur, zink, magnez, kalium dhe kalcium. Kosi i ofron miellit të grurit aminoacidet që atij i mungojnë, duke krijuar nje proteinë të kompletuar. Për këtë arsye, trahanaja është një burim i pasur proteinash gjithashtu.
Trahanaja prej elbi – një superushqim
Fermentimi i elbit prodhon disa substanca të quajtura beta-glukane, të cilat kanë një efekt të dobishëm në rregullimin e sheqerit në gjak dhe në uljen e kolesterolit. Madje, së fundmi, këto molekula duket të kenë efekt pozitiv edhe kundër kancerit. Si rrjedhojë, mund të provoni të shtoni miell elbi tek mielli i grurit për të rritur vlerat ushqyese të trahanasë. Përdorimi i miellit integral të grurit i rrit kënaqshëm përmbajtjen në fibra dhe antioksidantë.
Cila është trahanaja më e mirë?
Trahanaja më e mirë është ajo që bëhet me miell gruri të përzier edhe me himë, dhe të zënë me kos. Sa më i vogël raporti i grurit me kosin, aq më e ushqyeshme trahanaja. Nëse i shtoni edhe miell elbi vlerat ushqyese përforcohen mrekullisht.
Si ta gatuani?
Pasi e zieni me ujë trahananë, i shtoni pak djathë dhie, vaj ulliri, domate të tharë, speca të kuq-të thatë dhe rigon. Madje mund të tentoni ti shtoni edhe qiqra për ta bërë atë akoma më të kompletuar.
Një kupë trahana është mëngjesi ideal për fëmijët e vegjël
E pasur me minerale, acide organike, proteina dhe fibra, trahanaja është zgjedhja ideale për mëngjesin e fëmijëve. Ajo është superiore ndaj makaronave, orizit, e veçanërisht drithrave të mëngjesit, pasi fermentimi i grurit e bën atë shumë më të ushqyeshëm dhe të lehtë për aparatin e tyre tretës, ndërkohë që u jep atyre lëndën e parë për formimin e kockave, dhe imunitetit.