Kongresi i Partisë Socialiste u mblodh këtë të premte ku në ditën e parë në fokus pati gruan. Në Kongres u prezantua nisma “Edhe një”. E ftuar për të mbajtur një fjalim në këtë takim ishte edhe bashkëshortja e kryetarit të Partisë Socialiste, Linda Rama.
Ajo falenderoi personat përkatës për ftesën, ndërkohë që tha se është hera e parë që merr pjesë e që flet në një forum të Partisë Socialiste.
“Përveç pjesëmarrjes së fushatave elektorale kam ruajtur me fanatizëm bindjen se koha, rruga, betejat me të gjitha çkanë brenda i përkasin vetëm dhe vetëm PS-së. Se në sekond ky mu duk vendi i duhur dhe momenti i duhur për të folur publikisht prandaj faleminderit kujt i shkoi mendja për të bërë këtë ftesë”, tha Linda Rama.
Ajo rrëfeu edhe se si e mori vesh që Edi Rama u zgjodh kryetar partie në vitin 2005.
“Në vjeshtën e 2005 PS zgjidhte kryetarin e saj të ri. Në atë kohë sëbashku me kolegë të ri kishim filluar të aplikonim modelin e shkollave komunitare në një komunë në jug të vendit. Kryetari i asaj komune ishte delegat i atij kongresi. Pak muaj pasi PS doli në opozitë. Në përfundim të kongresit kryetari i komunës erdhi në zyrën tonë për të biseduar për aktivitetet që do të bënim në shkollën e komunës së tij. Në një moment dikush e pyeti, si shkoi kongresi?Nuk e zgjodhëm ne kryetarin tha delegati, e zgjodhën fëmijët tanë. Na mbytën me mesazhe duke thënë zgjidhni atë të gjatin. Është modern dhe e ka të lehtë të merret me fëmijët e mbylli kryetari”, tha Linda Rama.
Sipas bashkëshortes së kreut të qeverisë, Partia Socialiste është forca që mund ta bëjë vendin shtëpi për të gjithë fëmijët e shqiptarëve.
“O e bën PS sot këtë vend shtëpi të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve pa dallim krahine, o askush tjetër nuk ka për ta bërë kushedi se sa kohë”, tha ajo./tvklan.al