Lajme

Ish-deputetja: 1.5 milion shqiptarë jetojnë në varfëri, jemi vendi me pagat më të ulëta në rajon

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka publikuar një postim në rrjetet sociale, ku flet për varfërinë në vend.

Duke iu referuar shifrave të INSTAT, Tabaku shkruan se konsumi për muajin dhjetor 2019, ka qenë 50% më pak se muajin e kaluar.

Sipas saj, konsumi mesatar i shqiptarëve për vitin 2019 është i barabartë me vitin 2000.

Ajo thekson se janë 1.5 milionë shqiptarë që jetojnë në varfëri dhe shpenzojnë të ardhurat nga emigrantët apo pensionet e prindërve të tyre.

Më tej, ish-deputetja shprehet se vendi po boshatiset nga dita në ditë, ndërsa qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë plan masash për ta ndaluar këtë gjë, duke mos iu ofruar qytetarëve asnjë ofertë për rritjen e konsumit.

Tabaku thotë se Shqipëria është vendi me pagat më të ulëta në rajon.

Reagimi i plotë:

Shqiptarët janë përditë edhe më të varfër në bazë edhe të statistikave të prodhurara nga vetë qeveria. INSTAT raporton se konsumi për muajin dhjetor 2019, pra në pikun e festave, është 1.1%. Praktikisht 50 përqind më pak se vitin e kaluar që do te thotë se shqiptarët nuk kanë konsumuar.

Aq pak të ardhura grumbullojnë shqiptarët sa që edhe në një muaj ku tradicionalisht shpenzojnë, kanë nxjerrë nga xhepi më pak se muaji tetor dhe nëntor. Mesatarisht konsumi për vitin 2019 është 1.4% një vlerë e barabartë me vitin 2000.

Shqiptarët nuk konsumojnë se nuk kanë. Sot shqiptarët janë duke jetuar me pensione dhe Banka e Shqipërisë raporton se 30% e familjeve shqiptare jetojnë me pensione. Ndërsa familjet që kanë të ardhura të tjera nga puna, qiratë apo remitancat vijnë gjithnjë e në rënie.

Janë 1.5 mln shqiptarë që jetojnë në varfëri dhe shpenzojnë remitancat e emigrantëve apo dhe pensionet e prindërve të tyre. Një shifër e tillë që tregon gjysmën e popullsisë në kushtet e mjerimit është dëshmi e realiteti ekonomik dhe shoqëror në vend. Kjo shifër përforcohet kur sipas instat shqiptarët në shumicë dërrmuese punojnë 2 muaj në vit (vetëm 0 deri në 20 përqind në vit).

Shqipëria po varfërohet dhe zbrazet përditë e më shumë. Qeveria ka rreshtur së menduari për qytetarët e zakonshëm, jeton në një realitet tjetër. As Rama dhe as oligarkët pas tij nuk kanë asnjë alternativë për 1.5 mln shqiptarët e varfër, ato nuk kanë asnjë ofertë për rritjen e konsumit dhe as largimin e shqiptarëve.

Vendi me pagat më të ulëta në rajon, me standartin e jetesës më të ulët në rajon dhe me varfërinë më të lartë ka nevojë për stimuj fiskalë. Oferta e taksës së sheshtë 9%, incentivat në sektorët prioritarë dhe rritja e konsumit përmes rritjes së pagave dhe pensioneve janë domosdoshmëri. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim rrënjësor se si qeveria trajton qytetarët dhe ekonominë. Diçka që kjo mazhorancë dhe ky kryeministër nuk kanë dashur ta bëjnë që ditën e parë që erdhën në pushtet.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

MË TË LEXUARAT

To Top