Beqiri flet para turneut në Turqi: Bëhet fjalë për Shqipërinë, jo të gjithë e kanë këtë mundësi

0

Trajneri i Shqipërisë U-17, Elvin Beqiri, ka folur në prag të turneut miqësor që do të zhvillohet në Turqi në datën 15 dhe 21 janar. Kuqezinjtë e vegjël kërkojnë që të dalin me suksese në këto takime, ndërsa në një intervistë për “FSHF TV”, Beqiri ka prekur edhe temën e pritshmërive.

“E vërteta është se 2019 nuk ishte një vit suksesi për ekipet kombëtare shqiptare, por gjithsesi ajo që është më kryesore dhe parimore, është evidentimi i elementevë të rinj dhe dërgimi i tyre në ekipin U-19 e deri tek kombëtarja A.

Besoj që vitin e shkuar kemi zgjedhur elementë mjaft cilësor, në atë brez kemi lojtar premtues që do vazhdojnë të jenë pjesë e përfaqësueseve të Shqipërisë, ku sigurisht do të shikojmë sërish gjendjen e tyre dhe formën në klubet përkatëse. Shpresojmë të punojnë mirë edhe të përfaqësojnë ngjyrat e kombëtares sonë kuqezi. Në lidhje me seleksionimet vendet e reja që kemi vëzhguar janë Gjermania edhe Danimarka, duke shtuar edhe vendet e herëve të tjera, si Greqia dhe Italia.

Mendoj se kemi bërë një seleksionim të mirë dhe një pjesë e tyre janë sot këtu me U-17. Kemi edhe futbollistë të tjerë, të cilët në pamundësi për ti marrë të gjithë nuk janë sot me ekipin kombëtar. Ne do të zhvillojmë disa seleksionime gjatë vitit, në mënyrë që të bëjmë një vlerësim sa më të mirë dhe korrekt, me qëllimin kryesor të gabojmë sa më pak në përzgjedhje.

Qëllimi në turneun e Turqisë, që do të ikim nesër është paraqitja sa më e mirë dhe marrja e rezultatit për të qenë gjithmonë me moralin e mire dhe të motivohen, pasi bëhët fjalë për kombëtaren shqiptare dhe jo të gjithë e kanë mundësinë të jenë pjesë e saj”, ka thënë Beqiri. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.