Lajme
Degët e PDK-së kanë rritur dukshëm numrin e përfaqësimit gjinor
Përfshirja në politikë e grave, integriteti i tyre në institucionet e shtetit, të nivelit qendror dhe lokal, është rruga që duhet ndjekur në mënyrë që barazia gjinore të kuptohet si fakt i natyrshëm i jetës sociale e institucionale në vend.
Kështu ka thënë sot në ditën e dytë të Javës së Gruas, kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kreu i PDK-së Kadri Veseli, ku ka folur edhe për zgjedhjet brenda partisë që ai drejton.
Në tryezën “Rikthimi i besimit në demokraci përmes institucioneve të hapura, të qasshme dhe llogaridhënëse”, Veseli u shpreh se PDK është e hapur tërësisht drejt dhënies së përgjegjësive për gratë dhe të rinjtë.
Ai tha se në procesin e deritashëm zgjedhor disa degë të PDK-së kanë rritur dukshëm numrin e përfaqësimit gjinor, ndërsa në disa degë kanë kryetare të rinisë.
Sipas tij, Kosova ka shumë gra e vajza sikurse janë Majlinda Kelmendi, Dua Lipa e Rita Ora, teksa tha se vendi duhet të transformohet në një shoqëri të shanseve të barabarta për gratë dhe burrat e vet.
Ai ka thënë se gratë duhet të insistojnë më shumë në përgjithësi dhe në konkurrencë të tregohen më inkurajuese.
“Në procesin zgjedhor të cilin e kemi tani, kemi një përfaqësim të jashtëzakonshëm dhe pjesëmarrje të grave dhe vajzave anekënd Kosovës. Do t’i japim përfaqësim në ato vende ku e kanë me zgjedhje, ajo merr përgjegjësinë, sepse e ka obligative. Gjithsesi, jemi duke u munduar si udhëheqje e partisë dhe kjo do të ndodhë, se çdo degë e PDK-s minimum do të jetë, përveç përfaqësimit tjetër, edhe nënkryetarja e degëve të partisë do të jetë grua”, tha ai.
Ndërsa drejtoresha Ekzekutive e Iniciativës për Progres, Albulena Nrecaj, tha se një nga sfidat më të zakonshme me të cilat përballen qeveritë e sotme është edhe humbja e besimit të qytetarëve.
Kur qytetarët bëhen mosbesues ndaj qeverisë, ajo tha se pjesëmarrja politike bie dhe qeveritë e kanë të vështirë të krijojnë siguri dhe të gjejnë legjitimitet kur mobilizojnë burimet e tyre në mënyrë efektive për të mirën e përgjithshme.
“Në Kosovë në përgjithësi, besimi i qytetarëve në qeveri dhe institucione publike, si të nivelit qendror, po ashtu edhe atij lokal është i ulët. Në raporte të ndryshme të organizatave të huaja dhe vendore, vazhdimisht ngritët transparenca e institucioneve publike në fusha të ndryshme. Po ashtu, këto raporte alarmojnë për mungesë të llogaridhënies dhe mungesë të ligjit”, u shpreh ajo.
Veseli tha se Kuvendi i Kosovës është institucioni më i qasshëm për OJQ-të dhe mediat.
“Nuk ka diçka me dijeninë time si kryetar i Kuvendit, ku nuk kanë pasur qasje shoqëria civile dhe mediat. Për aq sa në kohën e mandatit tim, ne kemi pasur një fat, ndoshta ka qenë edhe zhvilli që u arrit, ku përmes partnerëve si USAID dhe GIZ-it gjerman, ne kemi thelluar edhe më tutje transparencën, e kemi bërë më të qasshme për qytetarin, por edhe në vendimmarrjen time si kryetar i Kuvendit, ne jemi institucioni i vetëm që çdo tre muaj bëjmë transparencën financiare të shpenzimeve të Kuvendit”, u shpreh ai.