Kryeministri Rama ka vërejtur se disa prej qytetarëve nuk i kanë dëgjuar thirrjet e tij, prandaj në një status në Facebook, ai tregon shembullin e Italisë, vend i cili ka shënuar numrin më të madh të të prekurve e viktimave. Rama shkruan se ata që akoma dalin për ajrosje në lagje dhe bëhen grumbull në supermarket, po hedhin në erë sakrificat e një populli të tërë. Ndër rreshta kryeministri shkruan se do të ulej në gjunjë, vetëm që këta njerëz të binden.
“O njerëz o xhan! Po aman more si doni t’jua them juve që akoma dilni nëpër lagje për ajrosje, që do merrni në qafë familjen, miqtë, kalimtarë që nuk ju kanë asnjë borxh?! Jam gati t’ju ulem në gjunj dhe t’ju lutem: Mos!!! Mos!!! Mos se po hidhni në plehra sakrificat e një populli të tërë!!!
Po ju o motra e vëllezër si doni t’ju lutem që të mos bëheni garumbull kur shkoni për të blerë, po të mbani radhë në distancë dhe duroni sa t’ju vijë radha?! Jam gati t’ju shtrihem para syve dhe t’ju lutem: Mos!!! Mos!!!
Mos se po bëni mish për top familjen tuaj dhe dhjetra njerëz të pafajshëm, duke u sjellë si tek dera e autobuzit apo stadiumit!!!
Shikojeni çfarë po heq italia ku po mbeten të vdekurit pa varr e po ikin me kamiona ushtrie rrugëve dhe lexojeni çfarë shkruan ky postim, ku edhe kjo foto ku s’ka njerëz garumbull e as ecje për dore, quhet një skandal
Këta bëjnë vrap mes bombave të padukshme dhe pastaj u thërret vdekja njerëzit e shtëpisë, e s’u gjejnë dot më jo krevat në spital, po as një copë varr”