Leximi

Kë të marr e kë të lë: Burrin apo Heroin tim…

Jeta ime deri më tani ka qenë shumë e mirë. I kam kryer studimet, gjeta vend pune… Me një fjalë, të gjitha gjërat më kanë shkuar ashtu siç edhe kam menduar. Tani jam 27-vjeçare, e martuar, mirëpo kam një hall, sepse martesa ime nuk po shkon si duhet…

Tim burrë e njoha para 9 vitesh. Por, para se ta filloja lidhjen me të, në të njëjtën kohë më propozonte martesë edhe një djalë tjetër, që më thoshte se më donte shumë, se dëshironte të martohej me mua, se me mua e shihte ardhmërinë e tij, se në mua nuk i shihte të tjerat sa për aventura…

Me një fjalë, ishte shumë i drejtpërdrejtë… E simpatizoja shumë, por nuk i besoja, andaj edhe e fillova lidhjen me burrin që tani jam e martuar. Kur e kuptoi ai se jam në lidhje me një tjetër, më tha:

“Lëre atë e më merr mua, sepse dashuria ime për ty është e pastër si loti dhe s’do të pendohesh për fjalët që t’i them”. Dhe, ndodhi si ndodhi… Me burrin tim kemi pasur shumë dashuri, shumë vite ishim bashkë, andaj, më në fund, u fejuam. Kemi qenë të fejuar një vit, mirëpo lidhja jonë filloi të zbehet.

Nuk kishim interesim për njëri-tjetrin se çka bënim, ku shkonim, me kënd dilnim, edhe pse shëtitjet tona bëheshin me shoqëri e jo me persona të gabuar. Pas një kohe filluan edhe grindjet, fyerjet, sharjet dhe ofendimet që m’i bënte ai. Në dhomën e gjumit më shumë grindeshim se që flinim… Madje, erdhi edhe koha kur grindeshim edhe për gjëra të kota… Thjesht, nuk kishim më marrëveshje…

Dhe, sa herë që dilnim për të blerë diçka apo edhe në shëtitje a në shtrat, më thoshte se është i lodhur shumë… Kështu, dita-ditës kur dilnim për të blerë gjëra të nevojshme, ai nuk hynte në dyqane, por ulej diku për të pushuar derisa unë kryeja punë. Më nuk kishte dashuri për mua…

Dhe, kjo mënyrë e jetës filloi t’më bezdis për faktin se ai kishte ndryshuar, më nuk ishte i njëjti që kishte shumë dashuri e respekt për mua. Ndërkohë, djali që më propozoi martesë para se ta njihja burrin tim, një ditë më telefonoi…
“Si e gjete numrin tim?”, i thash. Kështu, bisedat me të sa vinin e shtoheshin dita-ditës, meqë me burrin tim edhe nuk flisnim aq shumë ndërmjet veti… Andaj, edhe e gjeta veten te personi tjetër, “heroi im”, që e kisha njohur shumë kohë më parë, qëkur isha 17 vjeçe, por që atëherë atij nuk i dhashë një shans që ta njihja më shumë.

Sepse, e tillë isha unë: ai që më propozonte martesë e injoroja… Sidoqoftë, filluam të flisnim gjithnjë e më shumë, sepse kisha nevojë t’i qaja hallet e mia me dikë… Një ditë më tha troç: “Të thirra të ta dëgjoj zërin, sepse ende të dua dhe ti e di që unë të kam dashur dhe të dua gjithë jetën, derisa të jem gjallë dhe se nuk mund të të largoj asnjëherë nga mendja”.

Unë, thjesht, nuk i besoja dhe i thash se si ka mundësi të më dojë që nga ajo kohë, kur ne as nuk kemi qenë bashkë, as edhe që jemi puthur ndonjëherë… Martesa nuk po më funksionon…

Tash ka disa muaj që jam e martuar, por martesa ime nuk po funksionin si duhet dhe se çdo herë mendoja se martesat përfundojnë të lumtura, por qenkam mashtruar. Mendoja se po qe se martohem ai do të ndryshojë dhe do të sillet me shumë dashuri ndaj meje, por kjo nuk ndodhi, edhe pse ai më ofron çdo gjë, por jo edhe dashurinë e respektin…

Madje, burri im nuk e respekton askënd, as edhe familjen e tij… Bërtet me zë të lartë, aq sa e tërë lagjja ia dëgjon zhurmën… Më ofendon para familjarëve të tij, aq sa nuk kam ditur si të reagoj. Një natë dolëm në shëtitje dhe ndodhi një aksident me veturë teksa vozisja unë. Më mëshoi pse m’u fik vetura në rrugë…

Në ato çaste, nga inati, kam qarë si fëmijë… Të nesërmen shkova në shtëpinë time, por gjithmonë bëhem kinse jam e lumtur, sepse nuk dua t’i lëndojë… Por, ka disa javë që më nuk jetoj me burrin tim, edhe pse ai më ka kërkuar dhe vazhdimisht më kërkon falje… Sidoqoftë, e njoh atë, sepse çdo herë m’i ka dhënë të njëjtat premtime, por që ndodhin të njëjtat gjëra gjithmonë. I them të mos më thirr, sepse më nuk e dua, por ai nuk kupton, meqë më dashuron.

Prindërit e mi më thonë ta falë, sepse nuk do të kem jetë të sigurt me dikë tjetër ashtu siç e kam me të… Por, për mua nuk ka aspak rëndësi pasuria, por dashuria… Andaj, jam në hall shumë të madh dhe nuk di ç’të bëj: t’i kthehem burrit tim vetëm pse familja ime do qe ne të bashkohemi, apo t’i dorëzohem “heroit tim”, i cili edhe në këto çaste të rënda për mua gjen forma e mënyra t’më ngushëlloj… Por, edhe nëse do i kthehem burrit, mendja do më rrijë te tjetri, te “heroi im”. Mirëpo, edhe po t’i dorëzohem “heroit tim” do më brej ndërgjegjja që do e lë burrin, sepse ka bërë shumëçka për mua… Andaj, lexues të dashur, kërkoj mendimin e secilit nga ju që sado pak t’më ndihmoj në daljen nga problemi që kam… Si do të vepronit ju nëse do kishit një hall si i imi, që po ma bren shpirtin tash e sa javë?
Ju faleminderit!

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

MË TË LEXUARAT

To Top