Lajme
Petulla me banane, receta më joshëse që keni ngrënë ndonjëherë!
Me siguri që keni gatuar gjithmonë recetën tradicionale të petullave dhe kjo mund të ngjajë si një recetë ndryshe për ju. Janë të veçanta sepse brumi përmban edhe banane.
Kështu, keni mundësinë të përgatisni diçka ndryshe dhe për më tepër t’i gëzoni fëmijët tuaj.
Përbërësit:
- 200 gr miell.
- 150 ml qumësht.
- 50 gr sheqer.
- 30 gr gjalpë.
- 2 banane.
- 1 vezë.
- 1 lugë gjelle lëng limoni.
- 1 lugë kafeje maja birre.
- Vaj.
- Kripë.
- Sheqer pluhur.
Përgatitja:
Qërojini bananet dhe vendosini në një enë. Me anë të një piruni krijoni me to një lloj pureje bananesh. Në mënyrë që të mos nxihen, shtoni mbi të edhe lëngun e limonit. Shtoni gjalpin e shkrirë dhe sheqrin në një enë dhe përziejini mirë.
Në të shtoni vezën, bananet e shtypura, qumështin dhe miellin. Përziejini ngadalë dhe më pas shtoni edhe majanë e birrës. Përpiquni të mos lini asnjë kokrrizë që mund të krijohet nga mielli.
Brumi duhet të jetë si ai që përgatisni për petullat e zakonshme. Ndërkohë vendosni në zjarr një tigan me vaj në mënyrë që të piqni petullat me banane. Hidheni brumin në tigan me anë të një luge të thellë ose një filxhani të vogël, varësisht madhësisë që dëshironi t’i përgatisni.
Kthejini në të dyja anët në mënyrë që të piqen njëlloj. Renditini ato në një pjatë për servirje dhe dekorojini me sheqer pluhur ose copa çokollate, sipas dëshirës.