I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar pas njoftimit të sotshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për heqjen e pjesshme dhe me kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia.
Grenell ka thënë, nëpërmjet një reagimi në natën e së enjtes, në rrjetin social Twitter, se administrata e presidentit Donald Trump nuk e mbështet masën gjysmake të shefit të ekzekutivit kosovar.
“Ne nuk e mbështesim masën gjysmake të kryeministrit Kurti”, ka shkruar Grenell.
“Qëndrimi ynë është shumë i qartë: tarifat duhet të hiqen krejtësisht”, ka deklaruar emisari i Trumpit.
We do not support Prime Minister Kurti’s half measure. Our position is quite clear: the tariffs must be completely dropped. Mr Kurti is making a serious mistake – and that was made clear to President Thaci at the White House today.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) February 27, 2020
“Zotëri Kurti po bën gabim serioz – dhe kjo i është bërë e qartë sot presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, është shprehur ai.
Para reagimit zyrtar të Grenellit, Gazeta Express ka raportuar ekskluzivisht se SHBA’ja e ka hedhur menjëherë poshtë propozimin e Kurtit.
Sot, Kurti ka vendosur ta heqë tarifën për lëndën e parë që importohet nga Serbia, duke filluar nga data 15 mars.
E nëse Serbia ndalon fushatën jomiqësore, atëherë nga data 1 prill tarifa do të hiqet tërësisht për një periudhë 90 ditëshe.
Kryeministri tha se nëse Serbia nuk reflekton, nga 1 prilli do të nisë implementimi gradual i reciprocitetit. /Express/