CoVid-19
Babai i vdiq nga koronavirusi, Shqiptari i infektuar: Nuk është qysh po flitet, është një lloj gripi i lehtë
62-vjeçari nga fshati Dumnicë i Podujevës, i cili është i infektuar me koronavirus, në një prononcim për Gazetën Sinjali, ka thënë se virusi Covid-19 nuk është i rrezikshëm siç është thënë deri më tani.
Llapjani i infektuar ka theksuar se koronavirusi është i ngjashëm me një grip të lehtë, ai ka rekomanduar që të largohet frika nga virusi Covid-19.
“Ne jemi mirë, nuk është qysh po flitet. Nuk është i rrezikshëm. Unë me kënd kam biseduar i kam tregu se është një lloj gripi i lehtë shumë. Frikën duhet me e largu numër një”, ka thënë ai për Gazetën Sinjali.
I infektuari me koronavirus ka thënë se stafi mjekësor është duke u përkujdesur mirë për të infektuarit.
“Sa i përket stafit fort mirë janë tu na prit, fort mirë duke u sjellë. Çdo njeri e ka ma shumë tuten se sa zahmetin. Kurrfarë problemi nuk kemi. Përgjithësi jemi mirë”, ka thënë ai.
I prekuri me koronavirus tutje është shprehur se dëshiron që të shërohen të gjithë personat e prekur nga ky virus.
“Unë kom qejf me dëgju mirë për të gjithë, jo vetëm për personat në Kosovë, por për të gjithë. Nuk është gjendja qysh flitet”.
Gazeta Sinjali ka raportuar ditë më parë se 62-vjeçari ka ardhur nga Itali dhe më vonë ka rezultuar pozitiv me virusin Covi-19, me ç’rast më pas janë infektuar edhe babai dhe motra e tij.
Babai i të infektuarit ka vdekur ditë më parë në moshën 82-vjeçare nga koronavirusi, duke u bërë viktima e parë e virusit Covid-19.
Në Kosovë deri më tani janë 86 persona të infektuar me koronavirus, një prej tyre është shëruar dhe një tjetër ka vdekur.