Lajme
Bovilla në mëshirë të fatit, mungesa e rrugës pengesë për zhvillimin e turizmit
Edhe pse vetëm 15 km nga Tirana, për të mbërritur në Bovillë të duhet të ecësh më shumë se një orë me makinë.
Shkak është gjendja e rëndë e rrugës kryesore, e cila në pjesën më të madhe të saj është e mbushur me gropa dhe baltë, çka ka vështirësuar jetesën e banorëve të zonës, por edhe zhvillimin e turizmit në një nga atraksionet turistike të kryeqytetit.
Banorët kërkojnë asfaltimin sa më parë të rrugës, ndërsa deklarojnë se në gjendjen aktuale ata e kanë të vështirë të lidhen me qytetin dhe të marrin shërbimet e nevojshme.
“Është e mbaruar gjithçka, nuk ka as rrugë, as qendra, asgjë fare. Më keq nuk ka si bëhet. Baltë, ujë”.
“Rruga është kshu që kur u prish sistemi në ’90.”
Mungesën e rrugës e vuajnë edhe fëmijët, të cilët duhet ta bëjnë çdo ditë për të shkuar në shkollë.
“Bëhemi me baltë.”
Rruga e ngushtë e amortizuar e bën të vështirë shkëmbimin e automjeteve me njëri-tjetrin, ndaj drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrje sa më parë.
“100% burim aksidenti, por çfarë të bëjmë? Sa shtrojnë atje 18 milion euro një km të hedhin dhe pak lekë këtu që edhe këta banorë të jetojnë si gjithë të tjerët”.
Rruga e Bovillës tregon një tjetër rast të harresës që Bashkia e Tiranës i ka bërë fshatit dhe periferisë./Ora News