CoVid-19
Elbasanasit s’pyesin për koronavirus, rrinë në turma poshtë pallatit, por iu ndodh e papritura
Qëndrimi në shtëpi është masa më e mirë kufizuese kundër përhapjes së koronavirusit.
Këtë gjë e kanë pohuar thuajse të gjithë ekspertët e shëndetit në të gjithë botën dhe vetë OBSH-ja.
Ditën e sotme, ashtu si dy të dielat e mëparshme, qeveria vendosi që të pezullojë çdo aktivitet për 24 orë.
Mirëpo, në Elbasan duket se ka nga ata qytetarë të cilët kanë shkelur karantinën, duke dalë në poshtë pallateve në një lagje.
Ka qenë një qytetar i cili ka dërguar një video në redaksinë e JOQ Albania, ku një grup qytetarësh, kryesisht të rinj, kanë dalë jashtë, duke sfiduar jo vetëm policinë, por duke vendosur në rrezik edhe shëndetin e tyre dhe të afërmve të tyre, për shkak të ekspozimit jashtë banesës.
Siç shihet dhe në videon e filmuar mbrëmjen e sotme, një prej tyre ka parë një automjet policie që po afrohej dhe më pas të gjithë ia “futën vrapit”, secili për në banesën e tij.
Më shqetësues është fakti se ata janë në turmë dhe asnjë prej tyre nuk ka asnjë masë mbrojtëse dhe nuk respekton distancën, duke u shndërruar në rrezik të mundshëm për përhapjen e virusit, i cili mund të ndodhet kudo.
Fakti që ende ka qytetarë të cilët nuk janë ndërgjegjësuar mbi rrezikshmërinë e koronavirusit, i cili ka shkaktuar mbi 33 mijë viktima në mbarë botën në vetëm tre muaj, është një problem tejet shqetësues, që zor se mund t’i gjesh zgjidhje.