Lajme
Familja në Thumanë jeton ende në çadër: Kam shkuar 2 herë në Krujë për letrat, po na sorollatin kot
Shumë banorë të Thumanës, të cilët mbetën pa shtëpi nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit, vijojnë ende të jetojnë në kushte ekstreme. Një ndër ta është edhe familja e Besim Jangozit, i cili tregon se ende nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare nga shteti.
Ai theksoi se po sorollatet me dokumentet sa këtej-andej.
Së fundmi, moti është përkeqësuar ku ditën e martë pati reshje të shumta shiu. Besimi thotë se për pak era e fortë dhe shiu sa nuk ia mori çadrën.
Ai tha:
Thashë se na dyndi fare me gjithë çadër. Kështu nuk rrihet nuk jetohet. Ishalla shteti vë dorë mbi ne!
Lidhur me dokumentet, ai thotë se ka shkuar dy herë në Krujë, por më kot.
Më tej, vijoi:
Dje kam shkuar dy herë në Krujë për letrat. Bëjme letra kot poshtë e lart. Këtu në komunën e Thumanës na thonë nuk i firmosim ne. Ecen populli poshtë e lart, në vend se ti bëjë këto vlerësime shteti.