CoVid-19
Gjesti i jashtëzakonshëm! Prifti italian vdes nga COVID-19 pasi i jep respiratorin pacientit të ri
Një prift 72-vjeçar italian ka vdekur nga koronavirusi, por gjesti i tij i jashtëzakonshëm nuk do të harrohet kurrë. Mediet botërore raportojnë se prifti ka ndërruar jetë, pasi kishte vendosur që respiratorin që ia kishin blerë bashkëpunëtorët e kishës t’ia dhuronte një pacienti më të ri se ai.
Giuseppe Berardelli nga rajoni më i goditur i Italisë, Lombardia, vdiq në një spital lokal pas diagnostikimit me koronavirus.
Shërbëtorët e kishës ia kishin blerë atij një respitaror për shkak të mungesës së këtyre pajisjeve nëpër spitalet publike, por ai kishte vendosur që t’ia dhuronte një pacienti më të ri, të cilin nuk e njihte, por që kishte probleme me frymëmarrjen.
Mosha dhe gjendja e saktë e këtij pacienti nuk dihen, por pacientët e rinj që kanë qasje në respiratorë kanë gjasa shumë më të mëdha për mbijetesë
Ky rast i veçantë u bë i ditur nga prifti James Martin nga Shtetet e Bashkuara, i cili gjithashtu shërben si këshilltar në Sekretariatin e Komunikimit në Vatikan.
Prifti Berardelli dallohej për veprat e bamirësisë dhe njerëzit e njihnin edhe për dashurinë që kishte ndaj motoçikletave.
Berardelli është në mesin e së paku 60 priftërinjve që kanë vdekur nga koronavirusi në Itali.