Lajme
INSTAT-shqiptarëve: Përgatituni për një vit të vështirë ekonomik!
Me mbarimin e projekteve të mëdha, pasojave të tërmetit, sidomos në turizëm, emigrimin që po godet fuqinë punëtore e produktivitetin e kompanive, krizën e tej zgjatur politike, ambientin e rënduar për të bërë biznes, që po pengon investimet e huaja, eficiencën e ulët përballë konkurrencës së lartë europiane e rajonale, 2020-a pritet të jetë i vështirë për ekonominë shqiptare. Pjesa më e madhe e sektorëve, me përjashtim të industrisë automotive, janë pesimistë. Institucionet ndërkombëtare e vënë theksin te qeverisja e mirë dhe kryerja e reformave si një parakusht për përshpejtimin e rritjes në afatin e mesëm e të gjatë.
Rastësia ka qenë shoqëruesi më i mirë i zhvillimit ekonomik në vitet e fundit. “Tregtia, Transporti, Akomodimi dhe shërbimi ushqimor” ishte sektori që udhëhoqi rritjen për 9 muajt e 2019-s, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, duke kulmuar në tremujorin e tretë, si rrjedhojë e efektit turizëm. Një vit më parë, zgjerimi ishte orientuar nga “Industria nxjerrëse, përpunuese; Energjia elektrike”, kryesisht si rrjedhojë e reshjeve të bollshme që nxitën prodhimin e energjisë. Ndërtimi ishte dominues në 2017-n, për shkak të projekteve të mëdha të gazsjellësit dhe hidrocentraleve dhe orientimit të kapitaleve të lira në fushën rezidenciale.
Me forcat e veta, ekonomia ia ka dalë të ecë deri tani, çalë e çalë. Por, zhvillimi i paqëndrueshëm dhe rastësor po e ezauron atë nga dita në ditë. Në 2019-n, ekonomia u ngadalësua për herë të parë që nga viti 2013, në ciklin e dytë të normalitetit të ri, atij të rritjes së ulët, që pas vitit 2008. Shpresat që të kemi një rritje mbi 4% në afatin e mesme- që do të mundësonte kapjen me ritme më të shpejta të mesatares së Bashkimit Europian – janë shumë të ulëta. Si asnjëherë tjetër, këtë vit, në intervistat që Monitor realizon me përfaqësues të bizneseve e sektorëve kryesorë në vend, ata shprehen shumë pesimistë në pritshmërinë për aktivitetin e tyre, me pak përjashtime pozitive.
Projektet e mëdha të gazsjellësit TAP dhe hidrocentraleve mbi lumin Devoll, që llogariten në rreth 2 miliardë euro dhe mbajtën në këmbë investimet e huaja, po mbarojnë. Investimet e huaja me vlerë të shtuar po mungojnë, të stepura nga ambienti i vështirë për të bërë biznes dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. Kompanitë që kanë hyrë vitet e fundit, në sektorin e montimit të pjesëve për industrinë automotive, sërish janë të modelit të përpunimit aktiv (me material porositësi),duke shfrytëzuar krahun e lirë të fuqisë punëtore, avantazhi kryesor i yni prej 30 vitesh. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditura se ulja e investimeve në energji po kompensohet kryesisht nga rritja e tyre në sektorin e ndërtimit, që vetëm nëse janë në sektorin e turizmit, mund të jenë pozitive për ekonominë.
Emigrimi po gërryen gjithnjë e më shumë fuqinë punëtore dhe po i detyron bizneset të rrisin pagat, pa shtuar produktivitetin, çka në afat të gjatë do të ndikojë në uljen e konkurrueshmërisë dhe frenimin e investimeve. “Mungesa e kualifikimit të duhur profesional dhe rritja e emigracionit të punonjësve të kualifikuar ka sjellë një ngadalësim të produktivitetit duke ndikuar ndjeshëm në konkurrueshmërinë”, thotë Arben Shkodra, sekretar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.
Tendenca për emigrim, të paktën në afatin e shkurtër pritet të vazhdojë. Ajo do të nxitet më tej nga lehtësimi i politikave migratore të vendeve të zhvilluara, sidomos Gjermanisë, që po kompensojnë në këtë mënyrë plakjen e tyre të popullsisë, duke ia “transferuar” këtë problem shteteve në zhvillim. Krahas efektit tek sipërmarrjet, emigrimi ka filluar të japë pasojat dhe në konsum dhe në pritshmëritë për blerje të mëdha, shkruan “Monitor”. Banka e Shqipërisë raportoi në vrojtimin e fundit të bizneseve dhe konsumatorëve se këta të fundit prisnin përkeqësim të gjendjes së tyre financiare dhe nuk parashikonin të bënin blerje të mëdha. Inflacioni mesatar vjetor për 2019-n ishte vetëm 1.4%, shumë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% dhe më i ulëti që nga viti 2000, në një tregues të konsumit të dobët në ekonomi, së bashku me ecurinë e dobët të të ardhurave nga TVSH e brendshme.
Turizmi, sektori me ecuri më të mirë përgjatë tre viteve të fundit, ka amortizuar deri diku rënien e konsumit nga ngadalësimi i ekonomisë. Shqipëria ka parë rritje të fortë të numrit të hyrjeve të të huajve, që vijoi edhe në 2019-n, ndonëse me ritme të ngadalësuara në raport me 2018-n, që cilësohet dhe viti më i mirë. Por, në 2020-n, krahas problemeve të vjetra si infrastruktura, operatorët presin që të ndikohen nga pasojat e tërmetit. Ariol Haxhillari Menaxher i Përgjithshëm në FAFA Groups Hotels beson që do të ketë ndonjë rënie të vogël si efekt i tërmetit të 26 nëntorit pavarësisht se strukturat e hotelerisë janë të forta dhe ky tashmë është fakt. Gjithsesi ata mbeten pozitivë që sektori do të vijojë rritjen, por me ritme më të moderuara se në periudhën e mëparshme.
Rritja e turizmit nxiti dhe një sërë investimesh në këtë sektor. Krahas turizmit, ndërtimet rezidenciale, kryesisht në kryeqytet kanë thithur kapitalet e lira, që kishin sipërmarrësit. Vetëm në kryeqytet, në tre vitet e fundit janë investuar më shumë se 400 milionë euro në vit, sipas të dhënave indirekte nga të ardhurat e raportuara nga Bashkia e Tiranës për taksën e ndërtimit në infrastrukturë dhe sipërfaqet e dhëna për leje, të paktën deri në tremujorin e tretë. Normat e larta dhe kthimi i shpejtë ishin arsyet që nxitën këtë rendje pas ndërtimit, që u favorizua dhe nga hyrja e parave informale, si në kahun e blerësve ashtu dhe shitësve. Por, ky sektor, përveçse i jep shumë pak vlerë të shtuar ekonomisë (efekti i tij në rritje në dy vitet e fundit ka qenë i papërfillshëm), nuk mund të vazhdojë pa fund. Indeksi i besimit të ndërtimit, i Bankës së Shqipërisë, është në rënie prej dy tremujorësh radhazi, duke reflektuar reduktimin e kontratave porositëse dhe gjendjen financiare ndër të tjera. “Konsumatori do të jetë shumë më i kujdesshëm në blerjen e apartamenteve, dhe kërkesa për to do të orientohet drejt banesave më cilësore, rrjedhimisht më të shtrenjta, lejet e ndërtimit do të jenë më të vështira, pra nuk pritet vazhdim për një kohë të gjatë i bumit të ndërtimit”, thotë Arfi Shkalla, drejtor financiar i Kurum, kompanisë së prodhimit të çelikut, që është e lidhur direkt me sektorin e ndërtimit. Nuk ndihmon ambienti i jashtëm, as global as europian. Ekonomia europiane pritet të rimëkëmbet shumë ngadalë në 2020-n, sipas parashikimeve të Komisionit Europian, me 1.2%, nga 1.1% vitin e mëparshëm. Për fatin tonë të keq, Italia, partneri ynë kryesor, ku çojmë gati 50% të eksporteve pritet të ketë këtë vit normën më të ulët të rritjes në të gjithë Bashkimin Europian, me vetëm 0.4%. “Ekonomia e Italisë ka qenë kryesisht në stanjacion që nga fillimi i vitit 2018. Treguesit kryesorë nuk sugjerojnë një rikuperim të afërt të prodhimit në gjysmën e dytë të vitit 2019. Përveç kësaj, janë rritur treguesit të cilët pasqyrojnë që dobësitë në sektorin e prodhimit po fillojnë të përhapen edhe në atë të shërbimeve”, referon Komisioni Europian. “Ekonomia italiane do të mbetet ende në zero rritje (stanjacion), dhe rrezikon të bjerë në recesion nëse do të shfaqet ndonjë goditje e re. Kjo mbetet gjithmonë një mundësi e lartë, veçanërisht në frontin e jashtëm”, pohon Departamenti i Kërkimeve të Konfindustrisë.
Në këtë kontekst, vetëm nxitësit e rritjes së brendshme nuk mund të jenë të mjaftueshëm për të pasur një zgjerim të fortë, duke shtuar më tej faktorët që do të ndikojnë në kahun e poshtëm.
Tërmeti mes dy kontrastesh, jep shpresë për ndërtuesit
Tërmeti nxori zbuluar në 30 sekonda gjithçka që ishte bërë gabim në 30 vjet, si një nevojë për një reflektim të thellë për atë që duhet bërë në 30 vitet e ardhshme Ekonomia pritet të ndikohet negativisht nga tërmeti nga njëra anë, por në kahun tjetër procesi i rindërtimit mund t’i japë nxitje sektorit të ndërtimit dhe të hedhë likuiditet në qarkullim. Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që efektet e tërmetit të jenë afatshkurta dhe të ndihen më shumë në turizëm. “Ne presim që tërmeti të mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në ekonomi në 2020-n, por jo për rritjen në afatin e mesëm”, thotë Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Jan Kees Martijn.
“Duke pasur parasysh, që përpjekjet e rindërtimit do të prodhojnë mjete dhe mundësi më të mira dhe më të sigurta për bizneset dhe familjarët dhe se burimet që do të angazhohen në këtë proces do të përdoren në mënyrë eficiente, Shqipëria mund të përjetojë disa përfitime afatshkurtra dhe afatmesme sa i përket rritjes”, pohon Znj. Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.
Edhe Banka e Shqipërisë ndan të njëjtin mendim. Për vitin 2020, Banka e Shqipërisë gjykon se inercia pozitive e rritjes ekonomike do të tejkalojë pasojat negative që mund të vijnë nga tërmeti. Optimistë janë dhe ndërtuesit. “Rindërtimi sjell rritje ekonomike, sepse do hyjnë më shumë para në ekonomi, do të paguhen më shume taksa dhe do të punësohen më shumë njerëz”, thotë Faik Curri, nga kompania Curri, e përqendruar në ndërtim. 200 milionë euro të alokuara tashmë nga qeveria shqiptare dhe fonde të tjera të pritshme nga donatorët i bëjnë optimistë ndërtuesit. Curri shton se për t’i angazhuar në procesin e rindërtimin mund të tërheqin një pjesë të shqiptarëve që sot shkojnë për të punuar në Mal të Zi në ndërtimin e rrugëve, të cilët vlerësohen se janë rreth 2,500. Kjo mund të sjellë dhe një rritje pagash., ndonëse jo në nivelin që sot ofron Mali i Zi. “Në Mal të Zi ata paguhen 30 euro në ditë, ose 30% më shumë se në Shqipëri”.
Por, përtej këtij optimizmi, pak i matshëm është efekti psikologjik që tërmeti do të japë në sjelljen konsumatore, sidomos tek të prekurit, që të paktën deri tani nuk është se kanë arritur të shohin dritë jeshile se çfarë do të bëhet me ta, çka mund t’i nxisë të largohen përgjithmonë nga vendi! “Efektet negative të traumave psikologjike mund të ndihen minimalisht në rreth 6 muaj. Kjo pasojë indirekte e tërmetit në vendin tonë ka nevojë të studiohet, duke matur në mënyra shkencore se sa do të zgjasë periudha post traumë e punonjësve, që pësuan tragjedi apo traumë personale apo familjare nga tërmeti i 26 nëntorit”, thotë Prof. Dr. Arben Malaj, President i Institutit për Politika Publike dhe Mirëqeverisje.
Nga do të vijë rritja!
Shërbimet janë sektori që gjenerojnë pjesën më të madhe të prodhimit të brendshëm bruto në ekonomi. Sipas të dhënave paraprake të INSTAT, tregtia, transporti dhe akomodimi ushqimor dhe shërbimet e tjera, përbënin 37% të prodhimit të brendshëm bruto për 9 mujorin 2019. Ky sektor, që udhëhoqi rritjen vitin e kaluar, pritet më modest këtë vit, për shkak të pritshmërive për një ngadalësim të turizmit, efekteve të emigrimit në konsum dhe pasojave psikologjike të tërmetit. Julian Mane, zv.president i grupit Balfin, operatori më i madh i retail në vend, pohon se ata kanë ndier pasojat dhe nga kriza politike në gjashtëmujorin e parë 2019 dhe sidomos pas tërmetit të 26 nëntorit. “Sigurisht që fatkeqësitë natyrore të përmasave të tilla nuk mund të kalojnë pa pasur efekt negativ në ekonomi. Shumë sektorë i kanë ndjerë efektet dhe do vazhdojnë ti ndjejnë në muajt në vazhdim”. Ai pret që të paktën në 6 mujorin e parë të 2020, të ndihen efektet e tërmetit dhe të zbehen në gjysmën e dytë.
Bujqësia vijon të ketë kontribut të rëndësishëm me rreth 19% të PBB-së. Sektori prej vitesh vuan fragmentimin e tokës, konkurrueshmërinë e ulët, mungesën e ekonomisë së shkallës. Sot Shqipëria ndodhet përballë paradoksit, ku gati 20% e prodhimit të brendshëm bruto e zë bujqësia, ndërsa industria përpunuese sjell më pak se 1%. Ndryshe kanë vepruar fqinjët, që kanë më pak bujqësi, por një zhvillim shumë të lartë të industrisë përpunuese. Serbia psh, gjeneron nga bujqësia 6% të PBB-së dhe nga industria përpunuese arrin të prodhojë sa 3.6% e prodhimit të brendshëm bruto. Konkurrenca e Serbisë po ndihet fort së fundmi, fillimisht në industrinë e miellit dhe së fundit në atë të përpunimit të qumështit, ku prodhuesit shqiptare po e marrin lëndën e parë nga Serbia, pasi është më e lirë.
Edhe industritë e tjera nuk janë shumë optimiste, për faktorë që lidhen me shtimin e vazhdueshëm të barrës fiskale, problemet me fuqinë punëtore, konkurrencën e fortë nga jashtë etj. Më pozitivë janë zinxhirët e mëdhenj të tregtimit të lidhur me industrinë përpunuese, por ata po marrin kryesisht pjesën e tregut të të vegjëlve. Qeveria mund të ndikojë pozitivisht në rritje përmes fondeve të rindërtimit, ku do të ketë dhe mbështetjen e donatorëve. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca thotë se Bashkimi Evropian u bashkua shumë shpejt me Bankën Botërore dhe Kombet e Bashkuara dhe i ofroi ndihmë qeverisë për hartimin e përbashkët të Vlerësimi të Nevojave pas Katastrofës (PDNA), e cila “është një qasje ndërkombëtare e hartuar së bashku nga BE-ja, BB-ja dhe OKB-ja, dhe kështu vendimi i Shqipërisë për ta përdorur këtë metodologji do të japë besueshmërinë dhe sigurinë që u nevojitet donatorëve për ta ndihmuar Shqipërinë”.
Eksportet priten sërish me rënie
Për 11 mujorin 2019, eksportet ranë me 4%, tkurrja më e lartë që nga 2015-a. Të tre grupet kryesore “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”, që përbëjnë 71% të totalit të eksporteve, kishin tendencë negative. Tekstilet dhe këpucët, që zënë 40% të eksporteve totale, të dobësuara prej dy vitesh nga nënçmimi i euros, presin sërish tendencë negative. Flamur Hoxha, i kompanisë Kler, në prodhimin e këmishëve, parashikon se sektori fason vitin që vjen do të performojnë me rënie dhe falimente për kompani të vogla dhe te mesme.
As eksportuesit e mineraleve nuk janë optimistë, për shkak të konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare. Albchrome, një prej kompanive kryesore të mineraleve në vend parashikon që këtë vit tregu të jetë në luhatje dhe me mundësi të paketa për rritje. Prodhuesi më i madh i naftës në vend, Bankers Petroleum, dhe eksportuesi i dytë më i madh në vend, nuk pret që të investojë në hapjen e puseve të paktën në gjashtë muajt e parë të vitit. Vetëm nëse çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare arrijnë në 90-100 dollarë për fuçi, atëherë mund të konsiderojnë një kthesë në investime. Kurum, eksportuesi më i madh në vend në 2018-n, nuk është shumë optimist për tregjet e eksporteve, sidomos në Kosovë e Maqedoni, për shkak të konflikteve politike në këto dy shtete. Më pozitivë janë eksportuesit e çimenton që presin një rritje të qëndrueshme.
Sektori që po ecën më mirë është ai industrisë automotive, që është rritur ndjeshëm së fundmi dhe po tërheq investime të reja. Eksportet e këtij grupi kishin performancën më të mirë në 2019-n, me një zgjerim prej gati 20% me bazë vjetore. Ertjan Çabiri, Drejtori Menaxherial në Shqipëri i grupit francez Delmon thotë se plani i biznesit në afatmesëm u hartua akoma me ambicioz, duke filluar që nga 2-fishimi i prodhimit në 2020 e duke ruajtur një rritje dyshifrore në vitet në vazhdim. Por, ky grup ka një peshë të ulët në totalin e eksporteve, me 7%.
Performanca fiskale
Banka Botërore është e shqetësuar për performancën fiskale të qeverisë. Përfaqësuesja e saj, Salim, thotë se të ardhurat mund të jenë më të ulëta, ndërsa qeveria do të detyrohet të kryejë shpenzime dhe për shkak të rindërtimit pas tërmetit. Ecuria e të ardhurave buxhetore për 11 mujorin nuk ishte shumë optimiste. Rritja nominale ishte rreth 3%, dhe ajo reale zero, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen ekonomike. TVSH-ja e brendshme një tregues direkt i konsumit në ekonomi ra me ritme dy shifrore, e ndikuar nga përjashtimi nga TVSH i nënkontraktorëve të TAP, por duke treguar se sa e varur ishte ekonomia e vogël vendase nga ky projekt madhor. Buxheti 2020 u hartua mbi pritshmëritë e 2019-s, kur realiteti pritet të jetë të paktën rreth 120 milionë euro më pak, duke e zhbërë atë që në nisje. Përvoja ka treguar se për të ruajtur parametrat e deficitit, mosrealizimi i planit të të ardhurave kompensohet me reduktimin e investimeve kapitale.
Koncesionet po e gërryejnë ndërkohë buxhetin, me pagesat që pritet të arrijnë 15 miliardë lekë, ose 17% e shpenzimeve kapitale. Teksa qeveria, nën presionin e institucioneve ndërkombëtare ka shtuar transparencën e tyre, po rezulton se në pjesën më të madhe ato janë të keq hartuara, me kosto që rriten vazhdimisht e mundësi të pakta negocimi, ndërsa riskun financiar e mban shteti.
Sektori bankar i vakët
Sektori bankar do të jetë në linjë me zhvillimet e ekonomisë. Bankierët nuk presin që të ketë rritje të lartë të kredive nga konsumatorët, për shkak të fenomenit të emigracionit. Individët, që kanë në plan të ikin, janë të tërhequr nga blerjet e mëdha dhe kjo pritet të ndikojë në kërkesën për hua. Turizmi ka qenë një sektor, që ka orientuar ekonominë dhe ka rritur kërkesën për kredi, po ai do të varet nga ecuria e pas tërmetit. Bankat kanë qëndruar larg dhe nga ndërtimi, për shkak të riskut të lartë të tij në të kaluarën dhe frikës për një flluskë në të ardhmen. Në bujqësi bankat nuk preferojnë të hyjnë për shkak të riskut të lartë të saj. Energjia, që ka tërhequr financime vitet e fundit, po shkon drejt ezaurimit. Projektet e infrastrukturës po realizohen kryesisht përmes partneriteteve publike private, por edhe ato vështirë të tërheqin financime të mëdha për shkak të bilanceve jo shumë të mira të kompanive të përfshira në to (kujtojmë rastin e koncesionarit të Milot-Balldre që nuk po arrin të sigurojë financim, duke rrezikuar dështimin e projektit).
Të gjithë kërkojnë reforma dhe qeverisje të mirë
Me shumë sektorë të ekonomisë që duket se i kanë ngadalësuar motorët, karburanti mund të vijë vetëm nga politikat nxitëse të qeverisë për të zhvilluar një ekonomi konkurruese dhe për të tërhequr investime afatgjata. Si asnjëherë tjetër, drejtuesit e institucioneve ndërkombëtare, por edhe atyre vendase e vunë theksin tek ky fakt, të shoqëruar natyrisht me një qeverisje të mirë, edhe si një parakusht për të frenuar emigracionin masiv që po gërryen vendin.
Shefi i Misionit per Shqiperine Jan Kees Martijn rekomandon që Shqipëria ka nevojë për reforma ambicioze ekonomike për të përshpejtuar rritjen në afatin e mesëm. Rritja më e lartë është e nevojshme për të përmirësuar standardet e jetesës dhe për të reduktuar incentivat që njerëzit të emigrojnë në vende të tjera të Europës. Znj. Maryam Salim, Përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, thotë se është e nevojshme të ketë një klimë biznesi miqësore dhe një mjedis ligjor të parashikueshëm, që do të nxiste vendimet për investime afat-gjata.
“Shqipëria duhet të bëjë përpjekje për t’u ngjitur më lart në zinxhirin e vlerës në sektorë ku ka avantazhe konkurruese, të tilla si turizmi, agrobiznesi, prodhimi fason dhe shërbimet e nënkontraktuara të biznesit”, thotë Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri. Edhe Banka e Shqipërisë mendon se vendi ka nevojë për një strukturë ekonomike më të diversifikuar dhe më konkurruese. Ky objektiv nënkupton përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit, zgjerimin e tregjeve dhe nxitjen e promovimin e konkurrencës në to, rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e administrimit të bizneseve, si dhe zgjerimin dhe rritjen e efektivitetit të tregjeve financiare.
Profesor Selami Xhepa, Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës mendon se mungesa e standardeve të qeverisjes demokratike, mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, përgjegjshmëri në nivelet më të ulëta nga strukturat e institucioneve publike, kanë dëmtuar rëndë besimin tek klasa politike dhe veçanërisht tek rinia e vendit që po vazhdon të braktisë vendin, në kërkim të një shprese më të mirë jashtë vendit. Sipas prof. Sherefedin Shehu thekson se qeverisja e dobët dhe madhësia e vogël gjeografike përbëjnë dy faktorë të rëndësishëm që pengojnë ardhjen e investuesve të mëdhenj strategjikë.