Lajme

Kompensimi i orëve të humbura, SBASHK-u nuk e njeh vendimin e Gjykatës Themelore

Posted on

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, sot e ka refuzuar padinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), duke e lënë në fuqi vendimin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Kështu, sipas vendimit, të gjitha orët e humbura mësimore gjatë grevës që u mbajt në fillim të këtij viti, do të zëvendësohen.

Mirëpo, pavarësisht vendimit të Themelore, SBASHK-u vazhdon të kundërshtoj një gjë të tillë, duke qëndruar prapa asaj që orët nuk zëvendësohen më dhe s’kanë efekt.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë për Indeksonline se nëse Themelorja ka kundërshtuar padinë e tyre, atëherë do të vazhdohet me hapat tjerë ligjore.

Jasharaj ka theksuar se një vendim i tillë për zëvendësimin e orëve është i padrejtë dhe i marrë nën ndikim të emocioneve.

“Një vendim i tillë nëse është siç po thuhet në media, SBASHK-u do ta kontestoj dhe do të shkoj në gjykatën e Apelit, ngase konsiderojmë se nëse ka ndodh një vendim i tillë i gjykatës së shkallës së parë, mund të ketë ndodh ose në bazë të asaj  gjykatësi apo gjykatësja ka vepruar në bazë të emocioneve momentale, gjoja se mos të humbin orët ose mund të ketë ndonjë arsye tjetër. Sidoqoftë ne do të vazhdojmë me tonën sepse konsiderojmë se një vendim i tillë siç është i MASHT-it kundër padisë tonë nuk është i drejtë ngase ne jemi bazuar në fakte dhe te Gjykata e Apelit do të ofrojmë edhe fakte shtesë, pasi që tani do të kërkojmë nga zyra ligjore e SBASHK-ut të lexoj vendimin e gjykatës”, ka thënë Jasharaj.

Sipas tij, SBASHK do të drejtohet tek Apeli, pasi konsideron se çdo vendim kundër padisë së kësaj sindikate, nuk është i bazuar në ligjet ekzistuese por mund të jetë vendim i emocioneve momentale apo i ndonjë ndikimi eventual të dikujt.

I pyetur se a do të zëvendësojnë orët pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Jasharaj ka përsëritur se SBASHK qëndron prapa vendimit për moszëvendësim.

“Vendimi i Këshillit Drejtues të SBASHK-ut mbetet i njëjtë sepse konsiderojmë që edhe ligji i Grevave edhe konventa ndërkombëtare nuk na obligojnë. Nga ana tjetër po marr shembuj edhe sektorët tjerë kanë bërë greva dhe nuk është zëvendësuar asnjë orë e humbur në grevë, prandaj pse të ndodh nëse gjykata na obligon në mënyrë urdhërore për të bërë këtë, atëherë unë po i pyes pse do të ishin grevat në të ardhmen? Dmth sindikatave në Kosovë me vendimet e tilla u humbet arma e fundit që e kanë për ti mbrojtur kërkesat e tyre, në këtë rast që është greva ngase do të ishte krejt e paarsyeshme dhe jo e natyrshme që ne në të ardhmen të bëjmë greva kur gjyqi apo dikush tjetër do të na obligoj ti mbajmë prapë orët”, ka theksuar Jasharaj.

I pari i SBASHK-ut ka bërë të ditur se nesër do të konsultohet me juristin dhe stafin, për të dal pastaj me një deklaratë të përbashkët për këto zhvillime.

Kujtojmë se sipas padisë së ushtruar më 4 mars 2019, SBASHK ka kërkuar anulimin e vendimit të MASHT-it, për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës.

Kjo pasi që me vendimin e SBASHK-ut, të datës 10 janar 2019, të gjitha institucionet arsimore në Kosovë kishin qenë në grevë nga data 14 janar, duke kërkuar rritjen e koeficientit të pagës sipas Ligjit për Paga.

E lidhur me orët e humbura me rastin e grevës, MASHT-i, më 27 shkurt 2019, kishte nxjerr vendim për zëvendësimin e orëve të humbura me rastin e grevës, ku sipas këtij vendimi, orët e humbura do të zëvendësohen pesë ditë gjatë pushimit pranveror, pesë ditë gjatë vitit shkollor dhe për pesë ditë do të zëvendësohen pas përfundimit të vitit shkollor.

Por, me një vendim të tillë nuk ishte pajtuar SBASHK-u, pasi që sipas kësaj sindikate, ky vendim kishte qenë në kundërshtim me Ligjin për Grevat dhe Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë. Të pakënaqur me këtë vendim, SBASHK-u kishte ushtruar padi, me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e këtij vendimi.

Click to comment

MË TË LEXUARAT

Copyright © 2020 Gazeta Korrekte