Lajme

Kosova ka aplikuar në byronë ndërkombëtare për peshat dhe matjet

Posted on

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala deklaroi sot se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Byronë Ndërkombëtare të Peshave dhe Masave (BIPM), anëtarësim ky që do të ishte shumë i mirëseardhur për vendin.

Këtë deklaratë ministri Shala e bëri me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Metrologjisë, ku theksoi se nevojitet ndihma e miqve që kjo agjenci të jetë shtyllë e Republikës së Kosovës.

Ai tha se fuqizimi i mëtutjeshëm i metrologjisë kosovare është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve, për të përmbushur kriteret e parapara me MSA dhe ERA e mbi të gjitha për të rritur standardin e jetës së qytetarëve.

“Ne, tashmë kemi miratuar ligjin e ri të metrologjisë, dhe jemi në proces të hartimit të akteve nënligjore në mënyrë që të implementojmë këtë ligj të standardeve të BE-së sa më mirë që është e mundur. Për më tepër, me ndihmën e Bankës Botërore ne jemi duke rehabilituar një objekt të MTI-së që deri tash ka qenë i pa shfrytëzuar dhe besojmë që gjatë vitit të ardhshëm do të krijohen edhe kushtet fizike dhe teknike që secili kriter ligjor i paraparë të jetësohet në atë që ne po e quajmë Qendra Kombëtare e Cilësisë së Kosovës. Tashmë nuk do të lejojmë asnjë mashtrim për qytetarët e Kosovës, asnjë mashtrim për konsumatorët. Kemi aplikuar për anëtarësim në BIPM, është byro ndërkombëtare e peshave me lokacion në Paris, një anëtarësim i tillë do të ishte shumë i mirëseardhur për vendin tonë, dhe në këtë pikë na duhet ndihma e miqve që kjo agjenci të jetë shtyllë e Republikës së Kosovës”, th a ai.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i AKM-së, Ferki Fejza, u shpreh optimist se agjencia që ai e udhëheq do të anëtarësohet deri në fund të këtij viti në Byronë Ndërkombëtare për peshat dhe matjet. Ai tha se Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është i vetmi agjencion përgjegjës për fushën e metrologjisë dhe metaleve të çmuara.

“Baza aktuale e AKM-së është e mbështetur në dy ligje, atë të metrologjisë dhe ligjin e metaleve të çmuara. AKM shënon ditën botërore të Metrologjisë si një institucion i konsoliduar”, tha ai.

Kurse përfaqësuesi Projektit të Bankës Botërore, Gazmend Mejzini, tha se prodhimi i mallrave dhe shërbimeve që plotësojnë standardet ndërkombëtare janë mënyra më e mirë që kompanitë vendore të konkurrojnë për të zënë vend në hapësirën globale.

“Projekti do të ndihmojë, përpos anëtarësimit në BIPM, do të bëjë përpjekje që të ndihmojë edhe në laboratorët e brendshëm, që të reduktojë koston e marrjes së certifikatave ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Click to comment

MË TË LEXUARAT

Copyright © 2020 Gazeta Korrekte