Ushqime
Kura e Saktë me Çaj Mali Kundër Kollës, Ftohjeve dhe Virozave
Të ngroh organizmin dhe shpirtin por mbi të gjitha efektet e tij janë fantastike për të mposhtur virozat, gripin dhe të ftohurën.
Çaj i ngrohtë mali me gjalpë, ëmbëlsuar me pak mjaltë dhe pak lëng limoni për vlera më të forta është një ndër kurat më të forta që mbrojnë organizmin.
Një traditë e trashëguar brez pas brezi në gjithë Shqipërinë, çaji i malit përzihet me lëng limoni, mjaltë dhe pak gjalpë.
Ky i fundit është një element që e bën shijen e çajit mjaft interesante dhe aspak të çuditshme, sidomos për ata që kanë probleme me kollën ose fytin.
Nëse ju pëlqen çaji i malit, atëherë përdoreni shpesh kështu, në mëngjes, por edhe në mbrëmje.
Përzierja e tij me gjalpin rrit forcën vepruese të vlerave ushqyese.
Gjalpi është tepër i pasur me vitamina dhe minerale.
Ai përmban kalçium, fosfor, potassium, zinku dhe magnezi.
Receta e Përgatitjes në Shtëpi
Përbërësit
- Një grusht me çaj mali
- Një lugë çaji me mjaltë
- Dy lugë gjellë me lëng limoni
- Një lugë çaji me gjalpë të freskët
- Një filxhan çaji me ujë
Përgatitja
- Si fillim zjejmë ujin.
- Në ujin e nxehtë hedhim çajin e malit, e lëmë të zjejë deri në 10 minuta.
- E heqim nga zjarri dhe e hedhim në filxhan.
- Më pas hedhim lugën e mjaltit dhe lëngun e limonit, në fund gjalpin e freskët.
- Çaji pihet kur është i ngrohtë.
Çaji me Fuqitë e Një Mali për Shëndetin
Çaji i malit është aset që natyra i ka dhuruar njeriut për t’a ndihmuar në mirëqenien e organizmit.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, çaji i malit shqiptar ka efekte të fuqishme në forcimin e imunitetit.
Ai ndikon për një tretje shumë të mirë të lehtë ndërsa lufton alergjitë e astmën, dhimbjet e kokën e sinozitin.
Çaji i malit ka një fuqi të jashtëzakonshme gjithashtu në trajtimin e sëmundjeve të të ftohtit.
Gripi, dhimbjet e fytit, kolla apo dhimbjet e kraharorit trajtohen më së miri përmes çajit të ngrohtë të malit.
Vlerat e Limonit dhe Mjaltit
Jo më kot, cilësohet si fruti i jetëgjatësisë. Limoni është një pasuri vlerash të çmuara për shëndetin.
Vetitë kuruese të tij janë të fuqishme falë vitaminave C dhe P, të cilat i bëjnë efektet shëruese të limonit të menjëhershme për organizmin e njeriut.
Mjalti, është cilësuar ndër shekuj si nektari i perëndive, e vijon të jetë i tillë edhe sot. Mjalti ka një përdorim të gjërë dhe jo vetëm si ëmbëlsues.
Përpara shpikjes së antibiotikëve, mjalti përdorej gjërësisht për të trajtuar plagët apo djegiet e lëkurës.
Ai është përdorur edhe për të zbutur kollën ose si maskë lëkure.
Që në lashtësi, mjalti konsiderohej si një ushqim i rëndësishëm për atletët dhe njerëzit që kryenin aktivitete fizike./nga AgroWeb.org/