Lajme
MI merr në monitorim zyrën për të drejtat e pasagjerëve brenda aeroportit
Mministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka vizituar Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, me ç’rast u prit nga kryeshefi ekzekutiv i këtij aeroporti, Haldun Firat Kokturk, me të cilin ka biesudar për mundësitë e avancimit të shërbimeve për pasagjerëve.
“Ministri Lekaj dhe kryeshefi ekzekutiv i ‘ANP Adem Jashari ‘, Firat Kokturk, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me ç’rast ministrit Lekaj iu dorëzuan çelësat e zyrës për monitorim të të drejtave të pasagjerëve, e cila tash e tutje do të jetë në shfrytëzim të Ministrisë së Infrastrukturës, respektivisht Departamentit të Aviacionit Civil”, thuhet në komunikatën e MI-së.
Duke e falënderuar kryeshefin ekzekutiv Kokturk, për bashkëpunimin e vazhdueshëm Lekaj tha se me vendosjen e zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës në ambientet e aeroportit, qytetarët do të kenë mundësi ku t’i parashtrojnë ankesat dhe do të udhëzohen nga kjo zyre në lidhje me të drejtat e tyre që iu takojnë.
“Kurse sa i përket shtimit të numrit të pasagjerëve për 14.5 përqind krahasuar me vitin e kaluar, Lekaj e ka përgëzuar menaxhmentin e ‘ANP Adem Jashari’ duke shtuar se ky rezultat jep mesazhin që ‘ANP Adem Jashari’ është qendër e pasagjerëve që e lidhë Prishtinën me botën dhe se do ta ketë mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës edhe më tej. Kurse lidhur me mashtrimet e pasagjerëve nga persona dhe kompani të ndryshme, Lekaj tha se kjo dukuri është reduktuar në mënyrë drastike krahasuar me vitet e kaluara edhe kjo zyre që sot zyrtarisht po e hapim brenda ANP-së, do të jetë në shërbim të pasagjerëve, që të mos ndodhin rastet e mashtrimit”, thuhet në komunikatë.
Kokturk, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe dorëzimit të çelësave të zyrës, tek ministri Lekaj, ka pohuar se rritja 14.5 përqind e pasagjerëve tregon se ky vit ka qenë goxha i ngarkuar për “ANP Adem Jashari” dhe se krahas kësaj rritje do të jetë edhe rritja e cilësisë së shërbimeve për pasagjerët. Kurse sa i përket zyrës së monitorim për të drejtat e pasagjerëve, e cila nga sot është në dispozicion të Ministrisë së Infrastrukturës, ai tha se kjo zyre krijon kontakt të drejtpërdrejt mes ministrisë dhe pasagjerëve në adresimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve të tyre.