Lajme

Ministrja Hoxha: Vlerat dhe parimet e BE-së janë vlera dhe parime tonat

Posted on

Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, në Drenas, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, Ambasadori gjerman, Christian Heldt, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci dhe Alba Boshnjaku, bursiste e Young Cell Scheme, zhvilluan debat me nxënësit e Drenasit, me temën Promovimi i vlerave të BE-së, rëndësia e gjithëpërfshirjes në procesin integrues, përcjell “Bota sot”.

Komuna e Drenasit ka vendosur një standard të mirë për barazinë gjinore duke punësuar numër të barabartë të grave dhe burrave në struktura udhëheqëse. Për këtë arsye, kemi përzgjedhur Drenasin për te diskutuar promovimin e vlerave të BE-së në qendër të së cilave është gjithëpërfshirja, theksoi Ministrja Hoxha.

Duke iu referuar të kaluarës tonë si vend por edhe rajonit, Ministrja Hoxha potencoi se rruga më e sigurt drejt prosperitetit, paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm është anëtarësimi i Kosovës në BE. Ky është proces i gjatë, është proces që kërkon përkushtim, por është proces që duhet prioritizuar dhe qe paraqet mundësi, sfidë dhe avancim në integrimin ne BE.

“Vlerat dhe parimet e BE-së, duhet çmuar dhe duhet arritur, me përkushtim nga secili institucion i nivelit qendror por edhe të atij lokal duke përfshirë edhe qytetarët aktiv dhe dëgjimin e shqetësimeve të të rinjve tanë për llogaridhënie më të madhe në rrugën tonë të BE-së. Përkushtim i veçantë është për sistemin arsimor, zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe ndërmarrësinë, aftësimin e të rinjve që t’i përballojnë kërkesat e tregut të punës”, ceku Ministrja, duke e mbyllur diskutimin me “Rinia jonë është pasuria më e madhe”.

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, vlerësoi angazhimin për procesin integrues, por, shtoi që edhe më tej, t’i kushtohet vëmendje zbatimit të reformave, MSA-së, ERA-s, luftimin e krimit dhe korrupsionit si dhe çështjeve të të rinjve si punësimi, aftësimi dhe përkrahja institucionale. Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci e vlerësoi si shumë të dobishëm këtë diskutim, duke cekur të arriturat për barazinë gjinore, transparencën, mbrojtjen e ambientit dhe të arriturat tjera.

Alba Boshnjaku diskutoi rreth programit Young Cell Scheme, duke i ftuar të rinjtë të jenë aktiv dhe kërkues të mundësive, duke sjell shembullin e saj dhe storjen e suksesit. Në fund, nxënësit, parashtruan pyetje të shumta për panelistët, si dhe mesazhin se rinia e Kosovës është e penguar padrejtësisht nga moshatarët e vet në Evropë.

Click to comment

MË TË LEXUARAT

Copyright © 2020 Gazeta Korrekte