CoVid-19
Mjekja shqiptare në Itali letër Ramës: Në çastet më të errëta….
Ditën e djeshme 30 mjekë shqiptarë shkuan në Itali për të ndihmuar vendin fqinj në luftën kundër Koronavirusit. Mjekët do operojnë në Bergamo, qyteti më i prekur, do qëndrojnë për një muaj dhe do të paguhen nga Shqipëria, si gjest solidariteti.
Një mjeke shqiptare në Itali, Kozeta Proko, i ka shkruar së fundmi një letër kryeministrit Edi Rama, ku shprehet se shqiptarët janë dëshmi e një prej cilësive më fisnike…ndihmesën e mikut në ditë të vështira. Ajo shkruan se në çastet më të errëra, shqiptarët gjithmonë tregojnë virtytet më të mira.
“I Nderuar Kryeminister Rama,
Askujt nuk i shkonte ndërmend që Shqipëria, vendi i vogël përtej Adriatikut, i goditur vetëm pak muaj më parë nga tragjedia e tërmetit shkatërrimtar, të mund të gjente forcën e resurset e të dërgonte një ekip mjekësor prej 30 vetësh, për t’i qëndruar pranë mikes së vjetër e të shtrenjtë të të gjithë shqiptarëve, Italisë.
Dita e re, këtu në provincën e Trevizos, të gjithë shqiptarëve, ne veçanti ne mjekëve shqiptarë qe jetojmë e punojmë në Itali, na gjeti krenar!
Këta kolegë, me punën e tyre në shërbim të mbrojtjes së jetës, janë dëshmi e një prej cilësive më fisnike të popullit shqiptar…ndihmesën e mikut në ditë të vështira.
Në çastet më të errëta të dallgëve të historisë, ne shqipëtarët kemi treguar virtytet tona më të mira.
Jemi duke jetuar ditë të vështira, në një betejë që kërkon sakrificë prej secilit prej nesh.
Nëse këta kolegë kanë lënë pas familjet e shtëpitë e tyre, në emër të betimit të shenjtë në mbrojtje të jetës, ju lutem të gjithë ju të tjerëve të qëndroni në shtëpi!
Të kemi të gjithë besim tek masat mbrojtëse të menjëhershme që institucionet e Shqipërise ditën të ndërmerrnin, të cilat i përgëzoj.
Për të mirën tonë, të familjarëve e të afërmve tanë, në respekt të sakrificës e punës së gjithë mjekëve, që fitorja e kësaj beteje të jetë sa më e afërt…QËNDRONI NË SHTËPI!!
Dr.ssa Kozeta Proko”, i shkruan mjekja. Ndërkohë që Rama e ka publikuar letrën e saj në llogarinë e tij të Facebook-ut.