Lajme
Nga Gjermania kryeministri Rama jep lajmin e mirë për shqiptarët
Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një lajm të mire për shqiptarët që presin njohjen e patentave të drejtimit të makinave të tyre në Gjermani. Me anë të një statusi në llogarinë e tij të Facebook-ut, Rama ka njoftuar se ministri gjerman i transporteve është befasuar nga progresi i zhvillimeve në Shqipëri.
Po ashtu ai ka bërë me dije se njohja e patentës kalon përmes parlamenteve të 16 landeve të Republikës Federale Gjermane ( gjë që kërkon pak kohë) por më pas njohja do hyjë menjëherë në fuqi.
“Një lajm i mirë për miqtë e kësaj faqeje që presin njohjen e patentave të drejtimit të makinave të tyre në Gjermani. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, bisedova edhe me Ministrin Federal të Transporteve, i cili më tha, citoj, “Misioni ynë teknik në Tiranë është befasuar nga transformimet që keni kryer në Drejtorinë e Transportit Rrugor, përmes digjitalizimit të shërbimeve! Zgjidhjet e reja digjitale që keni realizuar janë origjinale dhe bindëse për t’i përcjellë Qeverisë Federale një opinion pozitiv”. Aprovimi i shumëpritur i njohjes së patentave shqiptare të drejtimit, kalon përmes të 16 parlamenteve të landeve të Republikës Federale të Gjermanisë dhe kjo do të kërkojë pak kohë, por ndërkohë çdo aprovim bën që në landin përkatës njohja të hyjë në fuqi menjëherë. Pak durim tanimë, se provimin e kemi kaluar me sukses dhe ky është një fakt që na inkurajon shumë për vazhdimin e #RevolucionitDigjital2020. Një bravo të madhe ekipit drejtues të DPSHTRRSH që po e transformon çdo ditë atë strukturë nga një vatër korrupsioni legjendar, në një mekanizëm shtetëror në shërbim të qytetarëve|, shkruan Rama.