Lajme
Një pako cigare, pesë euro — deputeti i ri i VV’së nis luf tën kundër duhanit
Dimal Basha, deputet i Vetëvendosjes, me një fushatë vetëdijësuese të nisur në Ferizaj, po synon të bindë qytetarët dhe pronarë të kafeterive që të respektojnë Ligjin për ndalimin e duhanit në hapësira të mbyllura. Ndër iniciativat e tij është rritja e akcizës me ç’rast ka cekur se një pako e duhanit duhet të kushtojë pesë euro.
Basha ka thënë se për të ndikuar në respektim më të madh të këtij ligji duhet vetëdijesim i qytetarëve, bashkëpunim me komunat, inspektorët dhe Policinë e ndihmë edhe nga Bashkësia Islame.
“Unë mendoj se problemi nuk është te pronarët e kafeterive. S’ka pronar që lejojnë me hy me ia tymos aty lokalin. Ai e lejon se nëse nuk e lejon shkojnë klientët te tjetri. Më të lehtë e kam pas me bë presion te ekzekutivi me i thënë zbatojeni e me iu qëndru me çekiç në kokë. Por mendoj se duhet të nisë kampanjë prej fillimi për vetëdijesimin e qytetarëve dhe pronarëve. Në Ferizaj s’janë bë dhjetëra fushata. Rrjedhimisht ka ardhur te dështimi. Kjo fushatë që ka filluar tash është në bashkëpunim me komunën. Jemi marrë vesh që të fillojmë bashkëpunimin me policinë, bashkësinë islame, zotimet e pronarëve. Është zotim pa efekt ligjor dhe besoj se do t’i përmbahen. Fillimisht është shpërndarja e fushatës. Kam thirrje nga pronarët që thonë hajde se tash do të pranojmë. Kanë rrezikuar por s’ka pas implementim sepse ka qenë marrëveshje në heshtje për të mos e zbatuar askush. Ka nisur keq ai ligj”, ka thënë Basha në KTV.
Sipas tij, qytetarët duhet të kuptojnë se janë vetë problemi i mosrespektimit të këtij ligji.
“Qytetarët janë problemi. Derisa ata duan përgjegjësi nga pushtetarët të mos e shkelin ligjin dhe në anën tjetër e shkelin vetë me dy këmbë. Tjetra është se po e shpërndajnë dëmtimin te njeriu nëpërmjet cigares. Mesazhi është i thjeshtë: S’keni arsye të ankoheni për të tjerët që shkelin ligji deri sa vetë nuk e respektoni dhe mos u ankoni për ajrin e ndotur jashtë derisa vetë e ndotni për të tjerët brenda. Mesazh që moralisht s’jep arsye për t’u ankuar te pushteti. Krejt Evropa dhe bota perëndimore e ka implementuar këtë ligj. S’besoj që duhet të bëjmë muhabet a me e pi kancerin e dikujt tjetër apo jo”, ka shtuar ai.
Teksa e ka cilësuar luks e qejf duhanin, Basha ka thënë se duhet të rritet akciza në mënyrë që përmes saj të paguhet për shërimin e personave që vuajnë nga pasojat që shkakton konsumimi i duhanit.
“Një nga iniciativat është të bëhet pako e duhanit pesë euro. Do të punoj për të rritur akcizën për ta bërë këtë. Do të provoj me krejt qenien time sepse këto janë mallra luksoze, 230 milionë euro veç për duhan sivjet kanë paguar. Edhe mall luksoz edhe i dëmshëm. Paralelisht duhet me ndal në qytet, të vetëdijesohen qytetarët e me ia rritë akcizën me ia bë pesë euro paketën. Studimet tregojnë se përafërsisht një qytetari i Kosovës kushton 600 euro më shumë nëse është duhanxhi. Prej taksave duhet të paguhen më shumë për t’i shëru ata që pinë duhan. Është mirë me ato para të akcizës të shërohen ata. Duhani është qejf, le të paguajnë më shumë, s’kanë nevojë të na ndëshkojnë edhe neve”, ka shtuar deputeti i ri.