Lajme
Njohja e patentave shqiptare në Gjermani, Rama jep lajmin e mirë
Kryeministri Edi Rama në një video-mesazh nga Berlini pas takimit me Angela Merkel, ka dhënë lajmin e mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani lidhur me njohjen e patentave.
Sipas tij, në muajin shkurt një ekip nga ministria e Transportit të Gjermanisë do të vijë në Tiranë ku do të bëhë edhe një raport për këtë çështje. Rama u shpreh besimplotë se ky problem do të marrë zgjidhje shumë shpejt.
“Duke qenë se shumë miq këtu në këtë faqe më kërkuan të ngre me kancelaren çështjen e njohjes së patentave të drejtimit të automjeteve në Gjermani dua t’ju jap lajmin e mirë se në shkurt vjen një ekip i Ministrisë së Transporteve të Gjermanisë për të bërë një raport për Berlinin zyrtar lidhur me këtë kërkesë.
Kjo është një kërkesë e kahershme dhe Shqipëria e ka bërë prej kohësh. Duke qenë se në Berlin mikun e kemi më të fortë se kurrë unë kam besim se këtij halli të shqiptarëve në Gjermani po i vjen fundit”, u shprehj Rama.
Një tjetër pikë e rëndësishme e takimit ishte edhe mbështetja për integrimin nga Gjermania, ku Rama e ritheksoi me shpresën për hapjen e negociatave në mars.
“Lidhur me integrimin, Merkel jo vetëm e rikonfirmoi pozicionin e fundvitit të shkuar, por më konfirmoi se Gjermania do të përpiqet për hapjen e negociatave në mars, që e dëgjuat, e tha edhe në konferencë. Ajo shpjegoi se nuk është e pamundur, por nuk mund të konsiderohet diçka e lehtë, derisa debati për metodologjinë nuk ka përfunduar dhe duhet punuar deri në ditën e fundit për të mos ulur ritmin e punës me reformat dhe për të vijuar me reformat.
Pastrimi i drejtësisë nga të korruptuarit dhe krijimi i SPAK-ut për kancelaren janë rezultate kuptimplota që japin shpresë”, tha ai.