CoVid-19
‘Nuk kisha sëmundje, nuk pija duhan, por prapë virusi më kapi’, rrëfimi i kampionit 38-vjeçar
Kampioni nga Italia Fausto Russo, i prekur nga COVID- 19 ka rrëfyer në një intervistë për “ABC News”, rrezikun në të cilin u gjend për shkak të koronavirusit. Ai bëri një apel shumë të rëndësishëm edhe për shqiptarët duke theksuar se kjo sëmundje nuk është shaka dhe se pavarësisht aktivitetit të tij sportiv ky virus i rrezikoi jetën.
“Jam në spital prej 18 ditësh. Simptomat e para i kam ndjerë në 5 mars teksa punoja në shtëpi. Kisha temperaturë, nuk mund të lëvizja nga krevati, ushqehesha nëpërmjet tubave.
Kam ripërsëritur tamponin për virusin dhe analizat rutinë të gjakut për të parë nëse kam akoma virus. Tani jam vetëm një trajner. Kam qenë aktiv në futboll.
Në fillim flitej që virusi prek të moshuarit. Unë jam dëshmia e gjallë që në 38 vjet nuk ka pasur asnjë problem shëndetësor, nuk pi duhan dhe pavarësisht kësaj virusi më ka goditur dhe gati më vrau. Mesazhi duhet të jetë i fortë, është një virus që godet dhe mbi të gjithë ecën në këmbët e tyre që nuk shfaqin simptoma. Janë pikërisht ata që e përhapin virusin, njerëzit që nuk shfaqin simptoma”, u shpreh Russo.
Ndër të tjera 38-vjeçari tha se populli shqiptar duhet të ketë durim dhe ndjenjën e ndërgjegjësimit për të kuptuar se, kjo nuk është shaka.