CoVid-19
Pandemia, pse tani po flitet kaq shumë për datën 31 korrik?
Pyetja themelore që kanë shumica e njerëzve në botë sot është kjo: Deri kur do të zgjasë pandemia?
Provinca Hubei në Kinë po i rikthehet normalitetit, çka sugjeron se kjo mund të ndodhë edhe në vende të tjera të botës, veçanërisht në Itali.
Hubei ka një numër banorësh aq sa Italia dhe Wuhani është aq i madh sa Lombardia, zona më e prekur në Itali.
Pavarësisht kësaj, në dekretin për masat e ndërmarra nga qeveria italiane, thuhet se emergjenca zgjat deri më 31 korrik. Pikërisht kjo ka zgjuar shqetësim te qytetarët. Një mbyllje deri në atë datë është e paimagjinueshme.
Gazeta “Corriera della Sera” shkruan se në fakt është thjesht përcaktimi kohor: çdo gjendje e jashtëzakonshme e ka kohëzgjatjen gjashtë muaj. Ajo ka nisur më 31 janar dhe pritet të përfundojë më 31 korrik.
Atëherë kur mund të kthehet bota në normalitet?
Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se brenda 12 javësh do jetë fituar beteja. Kurse drejtuesi i një landi në Gjermani tha se pas Pashkëve rikthehet normaliteti.
Në SHBA, presidenti Donald Trump ka lënë të kuptohet se nuk do e mbajë shumë gjatë të izoluar vendin.
Fakt është se asnjë pandemi nuk mund të ketë parashikime kohore dhe kjo është arsyeja se përse njerëzit dhe drejtuesit janë akoma nervozë.