Lajme

Punësimi në Gjermani/ Aplikimi i ligjit të ri, ja se çfarë pritet që të ndodh pas datës 1 mars

Posted on

Më 1 mars të këtij viti në Gjermani futet në fuqi ligji i ri për ardhjen e fuqisë punëtore. Me këtë ligj duhet të lehtësohet ardhja e fuqisë punëtore, por edhe kërkimi i fuqisë së nevojshme për punë nga vendet që nuk janë anëtare të BE. Në të ardhmen nuk do të vlejnë më rregullat sipas së cilave përparësi u jepet personave nga vendet anëtare të BE. Një nga rajonet e synuara nga punëdhënësit gjermanë është Ballkani Perëndimor.

Gjermania ka nevojë për fuqi të huaj punëtore, ndaj qeveria po përshpejton procesin e ardhjes së ekspertëve të huaj. Në Bonn është hapur një shërbim i ri që do të koordinojë procesin e njohjes së diplomave.

Ekonomia gjermane po varet gjithnjë e më shumë nga fuqia e jashtme punëtore. Qeveria federale për këtë shkak ka nisur një program për sjelljen në Gjermani të fuqisë së huaj punëtore dhe ekspertëve nga vendet tjera, nën moton “Make it in Germany“.

Ministri i Punës Hubertus Heil thotë se “Pa ekspertë të huaj nuk mund ta mbajmë mirëqenien e tanishme. Specialistët e huaj nuk është e mundur që të presin tepër gjatë dhe duhet të punojmë për mundësinë e ardhjes së tyre sa më shpejt“.

Personat që janë të interesuar për punë në Gjermani duhet fillimisht të kontaktojnë Qendrën ZSBA, e cila do t’ju ndihmojë në përgatitjen e dokumentacionit të plotë që nevojitet për njohjen e kualifikimeve. Zyra mund të këshillojë në forma të ndryshme: përmes chat, me postë elektronike apo dhe me telefon. Kërkesat e personave do të shpërndahen dhe dërgohen tek institucionet e duhura në nivelin e landeve.

Enti gjerman për statistika pohon se numri i shtetasve të gatshëm për punë në Gjermani do të zvogëlohet deri në vitin 2035 me katër deri në gjashtë milionë punëtorë. Në shumë fusha ekonomike ka mungesë të fuqisë punëtore.

Qeveria federale i ka kuptuar më në fund kërkesat e sipërmarrjeve dhe kohët e fundit është duke punuar intensivisht për krijimin e kushteve për ardhjen e fuqisë punëtore nga vendet e tjera. Pas një debati të gjerë është miratuar ligji për ardhjen e fuqisë punëtore.

Click to comment

MË TË LEXUARAT

Copyright © 2020 Gazeta Korrekte