Lajme

Punëtorët e Uzinës në Ballsh mes katër rrugëve: Janë mbyllur njerëzit në shtëpi s’kanë lekë, duan bukë

Posted on

Punonjësit e Uzinës së naftës në Ballsh kanë thënë se do të ngrihen në protestë. Ata tregojnë se kanë muaj që nuk kanë marrë pagesat që u takojnë dhe tani rrezikojnë edhe të mbeten pa punë.
Sipas tyre në të gjithën këtë ka një lojë pazaresh. Prej katër muajsh ata janë lënë në mes të katër rrugëve.
Disa prej tyre shprehen se as kaposhin e Vitit të Ri nuk e kanë ngrënë, pasi nuk kanë pasur para.

Njëri prej tyre ka thënë:
Kjo situatë është shqetësuese sepse jemi pa punë prej katër muajsh. Nuk na thonë asnjë fjalë dhe vetëm gënjejnë. Dhe e keqja është se bëjnë sikur na paguajnë pasi na paguajnë sigurimet shoqërore, ndërkohë që ne s’kemi marrë asnjë lekë. Nuk është bërë asgjë. Shumë fjalë hidhen që do ta marrë ndonjë kompani private, por janë të gjitha mashtrime. Edhe dje shkuam dhe doli një përfaqësues dhe na tha që nuk ka lekë. Na tha ‘ne s’kemi lekë për vete, po presim’. Ne na kanë prishur edhe sindikatën. Arsyen e vërtetë të mos hapjes së kësaj uzine e di kryeministri Edi Rama. I gjithë Ballshi me këtë punë mbahet, ja shikoji rrugët. Janë bosh, sepse janë mbyllur njerëzit në shtëpi sepse nuk kanë asnjë lekë. Është e vështirë të bësh dhe protesta sepse ai ka blerë njerëzit. Tentojnë të vijnë njerëzit dhe nuk bëhen.’’
Kurse një tjetër punëtor, i cili është baba i tre fëmijëve ka thënë gati me lot në sy:

Jemi thjesht punëtorë. Të tërë gëzojnë Vitin e Ri por Mallakastra nuk gëzoi njëherë Vitin e Ri, sidomos punëtorët e Uzinës. Vërtet u hap Uzina e Ballshit, e mbajti premtimin deri diku kur zoti kryeministër foli për Uzinën e Ballshit. Por, na solli njerëz të padenjë, mashtrues. Është një katastrofë. Tërmeti bëri të sajën. Është katastrofë natyrore. Më vjen keq që e them këtë por që Ballshi është bërë më keq se tërmeti. Kam kontaktuar me Presidentin, me njërin që hiqet si shefi. I kam thënë ‘jam baba i tre fëmijëve, dy binjakëve dhe një djali. Çfarë të bëj se kam fëmijët në çerdhe, duhen lekë. S’më hidhen lekët. Paguhen sigurimet dhe s’na hedhin as rrogën minimale. Duan buke për të ngrënë. Më la pa Vit të Ri.’’

Click to comment

MË TË LEXUARAT

Copyright © 2020 Gazeta Korrekte