Lajme

Sa bisedë e pahijshme nga gratë për gratë

Posted on

Kur lexon për deklaratat e çuditshme, për të mos thënë skandaloze, të Robert Berishës për gratë, sigurisht që është e pamundur të të mos vijë keq për faktin që ka ende personazhe publikë, të cilët shprehen haptazi pa e menduar dy herë se çfarë po thonë. Megjithatë, sado subjektiv të jetë ky konstatim, më duhet ta them se është akoma më e tmerrshme kur dëgjon se në çfarë mënyre flasin gratë për gratë, vajzat për vajzat.

Sot në “Ftesë në pesë” (e martë, 28 janar), Anisa Haroku, stiliste, dhe Jetona Koçibelli, gazetare kulture, biseduan me moderatoren Bieta Sulo për dizajnerët shqiptarë si Valdrin Sahiti dhe Lia Stublla, të cilët prekën tapetin e kuq të Grammy Awards. E gjithë biseda vijon normalisht, deri në momentin kur komentohet fustani i Beyoncé-s. Ose më mirë të them: Trupi i Beyoncé-s.

Në një moment, pasi stilistja Anisa Haroku vlerësoi punën e Valdrinit, por njëkohësisht theksoi se ka peshë edhe figura që Beyoncé përfaqëson, Bieta Sulo vuri në dukje faktin që Beyoncé (po citoj) është e shëndoshë. Pra nuk është si manekini.

“Patjetër që është Beyoncé, por kur e sheh fustanin në manekin me atë belin kështu perfekt dhe sigurisht që te Beyoncé është shumë bukur, por është shumë e shëndoshë. Ndoshta po të shihnim dikë tjetër që s’do të ishte Beyoncé do thoshim ‘ua sa qenka kjo’.”

E kam të pamundur të kuptoj se pse duhet të krahasohet Beyoncé, ose kushdo qoftë, me manekinin? Çfarë do të thotë që ajo është “e shëndoshë”? Që duhet të dobësohet? Që nuk i rri mirë fustani? Sikur të mos mjaftonte kjo, në vijim të bisedës, stilistja Haroku u shpreh:

“Në momentin që do t’i hiqnim kokën kësaj fotoje dhe do t’i vinim një tjetër, ta garantoj unë që nuk do të kishte këtë impakt që ka marrë ky fustani i kuq. Është absolutisht shumë i bukur, por mbase Beyoncé është pak më shumë seç duhet e kolme për të veshur një gjë saten. Sateni është tmerrësisht delikat, në prerje, në qepje. Megjithatë është shumë i bukur.”

Në përfundim të bisedës, Bieta shtoi:
“Për mua madje, po thosha që fustani është shumë, shumë më i bukur sesa trupi i Beyoncé-s, që ndoshta jemi mësuar që ta shohim në linja më perfekte. Këtu dukej goxha, goxha më e mbushur.”

Pra, në 2020-n, në një kohë kur gjithnjë e më tepër po i mëshohet faktit se nuk ka standarde kur bëhet fjalë për trupin e grave, në një studio televizive, diskutohet “sa ishte shëndoshur Beyoncé”.

Sigurisht që jam e vetëdijshme që Beyoncé nuk do ta shohë intervistën dhe do të vazhojë të jetë rehat me trupin e saj, siç u shpreh edhe në gusht të 2019-s për Vogue, ku theksoi se i ka ngelur pak bark nga shtatzënia dhe nuk ka ndërmend ta heqë, sepse mendon se “është më e rëndësishme për gratë dhe burrat të shohin dhe të vlerësojnë bukurinë në trupin e tyre natyral”. Megjithatë është shqetësues fakti që flitet për “belin perfekt”, për “të qenurit më shumë e kolme seç duhet” e se “satenin nuk mund ta veshë kushdo” në një studio televizive, në një kohë kur bota po përpiqet të shkëputet nga “standardet” e bukurisë të vendosura për trupin e grave. Jo më kot kompani relativisht të vogla si SecondLove apo Savage x Fenty shkatërruan një perandori si Victoria’s Secret.

E keni vënë re që ka gjithmonë një “shumë” për çdo gjë kur vjen puna te gratë? Shumë e gjatë, shumë e shkurtër, shumë e dobët, shumë e shëndoshë, shumë kështu e shumë ashtu. A mund t’i lëmë vajzat e gratë të jenë çfarë të duan, dreqi e mori?!

Click to comment

MË TË LEXUARAT

Copyright © 2020 Gazeta Korrekte