Lajme
Sallatë me brokoli dhe djathë, më e mira e sezonit
Receta e sallatës me brokoli është e thjeshtë në përgatitje dhe shumë e shpejtë. E sugjerojmë si një pjatë plot vlera, të cilën mund ta konsumoni edhe si vakt më vete.
Përbërësit:
Gjysmë kg brokoli me kërcell
10-15 kokrra ullinj pa bërthamë
2 feta bukë
Lëngun e 1 limoni
kopër
Djathë parmigiano
Vaj ulliri
Pak gjalpë
Kripë
Piper
Përgatitja:
Ziejmë fillimisht brokolin e larë dhe të ndarë në lule të vogla për rreth 5 minuta në ujë me kripë nëse lulet janë të vogla, apo për 10 minuta nëse janë pak më të mëdha. Duhet të kemi parasysh që nuk duhet të shpërbëhen, por vetëm të zbuten pak.
Ndërkohë, përziejmë në një tas të madh (aty ku do të përgatisim sallatën) lëngun e limonit me vaj ulliri, pak kripë, pak piper, shtojmë brokolin e ngrohtë pasi e kemi kulluar nga uji i tepërt dhe i përziejmë mire.
I lëmë të ftohen në temperaturë ambienti duke i përzierë herë pas here.
Pak çaste përpara se të servirim sallatën, presim bukën në kubikë të vegjël, e skuqim në pak gjalpë dhe ia shtojmë sallatës. Shtojmë së fundi edhe ullinjtë e ndarë në dy apo katër pjesë, koperin dhe copëzat e djathit parmigiano. Ju bëftë mirë!