CoVid-19
‘Shko në shtëpi, mos e zgjat’, Rama zbret në rrugët e Tiranës dhe çon në shtëpi qytetarët
Kryeministri Rama paraditen e sotme doli në disa zona të Tiranës, duke u kërkuar qytetarëve dhe të moshuarve që të kthehen në shtëpi.
“A ka mundësi të shkosh në shtëpi! Shko në shtëpi mos e zgjat se merr në qafë edhe të tjerët”, dëgjohet t’i thotë Rama një të moshuare, në videon e publikuar nga “Fax News”.
Në këtë situatë të vështirë të krijuar nga koronavirusi, kryeministri ka përsëritur thirrjen për të bërë kujdes.
“Sot në disa tregje të Tiranës ku situata ishte mjaft pozitive, problem pensionistët që dalin nga shtëpia, çka është e ndaluar, sepse shkalla e rrezikut për ta është shumë e lartë. Respekt maksimal për rregullat dhe durim, durim, durim dhe duke qenë se ju njoh mirë, po i dal përpara duke ju thënë aman, mos më shkruani ku e ke maskën e pse s’ke dorashka. E kemi përsëritur që maska e dorashkat nuk janë për kalimtarët, po të sëmurët, ata që kujdesen për një të sëmurë apo ata që e kanë punën me mundësi kontaktesh të afërta në tërësi… Kalimtarët mjafton të respektojnë rregullat, sidomos distancën +1m, mosdhënien e dorës, përdorimin e gropës së brrylit nëse teshtijnë apo kolliten dhe janë të mbrojtur”, shkruan Rama.