Lajme
Si të gatuajmë Pasha Qofte – Receta tradicionale Gjirokastrite
Pasha qofte është një ndër recetat më të vjetra te kuzhinës tradicionale shqiptare dhe më sakte të qytetit të Gjirokastrës. Me shijen e mrekullueshme të këtij gatimi special mund të kënaqni cilindo që i provon. Mund ta shoqëroni pasha qofte me një sallatë të stinës.
Pasha qofte
Përbërësit
Për Pasha Qofte
250 gr mish vici i grirë
50 gr oriz
2 kokrra vezë
1 kokërr qepë
30 gr gjalpë
majdanoz i freskët
piper
kripë
Për kremin
2 lugë gjelle gjalpë
1 lugë gjelle miell
100 ml qumësht
Përgatitja
Për të përgatitur pasha qofte si fillim duhet të ziejmë pak orizin. Në një enë më ujë hedhim orizin dhe e lënë në zjarr jo më shumë se 10 minuta. E heqim dhe e lëmë të ftohet.
Në një enë tjetër hedhim mishin, qepën e grirë në rende, orizin e ftohur, vetëm të bardhat e vezëve të rrahura, pak kripë, piper dhe i përziejmë mirë. I trazojmë mirë derisa të formohet një masë homogjene.
Ndërkohë në zjarr vendosim një enë me ujë dhe hedhim pak vaj ulliri. Masën e bëjmë toptha të vegjël në formë arre dhe i vendosim në një pjatë me pak miell. Për të krijuar topthat mjafton të njomin pak duart me ujë. Topthat e pasha qofte i hedhim në ujin e vluar një nga një me qëllim që vala nuk duhet të ndërpritet. Gjatë kohës që ziejnë qoftet përgatitim kremin.
Hedhim gjalpin në tigan dhe kaurdisim pak miellin derisa të zverdhet pak. E shuajmë miellin duke hedhur pak nga pak qumësht të ftohtë, e përziejmë shpejtë dhe shtojmë nga lëngu i qofteve. Kremin e hedhim dalëngadalë në tenxhere duke e trazuar, por kujdes pasi të kenë zier pasha qofte. Shtojmë më pas majdanozin e grirë.
Dy të verdhat e vezëve që kemi lënë i rrahim mirë, i shtojmë lëngun e limonit dhe i hedhim në tenxhere duke i përzier me kujdes. Ndërkohë enën e heqim nga zjarri.
Pasha qofte është gati, këshillohet të shërbehet e ngrohtë.