Lajme

Thaçi s’e merr parasysh “PO”-në gjermane për vizat

Posted on

Dy krerët e shtetit të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, duket se kanë pritje plotësisht të ndryshme sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët. Derisa Haradinaj uron qytetarët për liberalizim, Thaçi është shumë skeptik, dhe thotë që në Samitin e Berlinit ka vërejtur që ka mospajtime të mëdha të perëndimit rreth çështjes së liberalizimit të vizave.

Një ditë pas organizimit të Samitit të Berlinit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ishte takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Horst Seehofer, prej të cilit tha se kishte marrë një “PO” gjermane për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo “PO” e marrë në Gjermani ka bërë që Haradinaj të fillojë të urojë kosovarët për liberalizimin e vizave nëpër konferenca të ndryshme për media, shkruan Gazeta Express.

Kreu i Qeverisë thotë se çfarëdo gjë që ka thënë deri tani e ka bërë, duke përmendur kështu formimin e ushtrisë së Kosovës.

Megjithatë ky qëndrim i Gjermanisë për liberalizimin e vizave, duket nuk i ka rënë fare në sy presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, i cili në asnjë rast nuk ka folur apo nuk ka dhënë një koment për një mbështetje të tillë të Gjermanisë.

Ky qëndrim indiferent i Thaçit për mbështetjen gjermane, mund të vijë si pasojë e qëndrimit të kancelares gjermane Angela Merkel kundër idesë për korrigjim të kufijve, qëndrim ky që u betonuar në Samitin e Berlinit.

Apo mbase nuk dëshiron që të komentojë diçka në të cilën është i përfshirë Haradinaj, e që mund t’i llogaritet si sukses këtij të fundit.

Madje sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Thaçi bënë deklarata plotësisht të ndryshme nga Haradinaj.

Derisa kryetari i Qeverisë uron për liberalizimin, Thaçi ka filluar të drejtojë kritika të shumta në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian, duke lënë të kuptohet se brenda BE-së nuk ka dakordim që kosovarëve t’iu hiqet regjimi i vizave.

Në një komunikatë të lëshuar sot nga zyra e tij, pas takimit që Thaçi kishte realizuar me ambasadorët e shteteve të BE-së në Kosovës, presidenti citohej të kishte thënë që në është jashtëzakonisht e zhgënjyer që në Gjermani( Samitin e Berlinit) kishte parë një mos unitet të vendeve të BE-së, rreth çështjes së liberalizimit të vizave.

“Në fund të takimit me ambasadorët dhe shefat e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, presidenti Thaçi theksoi se zhgënjim në takimin e Berlinit ka qenë edhe mos uniteti i vendeve të BE-së rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës” thuhej në komunikatën e presidencës që u publikua sot.

Deklarata kundërthënëse Thaçi e Haradinaj kanë edhe sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Derisa Haradinaj mbështetet plotësisht në fuqinë e kancelares Anglea Merkel e presidentit francez, Makron, në anën tjetër Thaçi shpreh një mosbesim tek kjo dyshe e fuqishme evropiane, duke thënë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të arrihet asgjë sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përplasje këta dy liderë kanë pasur vazhdimisht edhe sa i përket idesë për korrigjim të kufijve dhe taksës së vendosur ndaj produkteve serbe.

Click to comment

MË TË LEXUARAT

Copyright © 2020 Gazeta Korrekte