Lajme
Vajza e Bajram e Nekibe Kelmendit, letër deputetëve: Para se ta ngrehni dorën kundër Kurtit, kujdes se…
Letra e plotë e avokates Kosovare Kelmendi:
Të nderuar deputetë,
Unë, Kosovare Kelmendi, bija e Bajram e Nekibe Kelmendit, besoj që kam të drejtën morale t’ju drejtohem me këtë letër në këto momente të vështira për Kosovën dhe popullin e saj.
Ju keni vendosur të mblidheni sot që t’ia ndryshoni kahjen vullnetit të popullit të shprehur me votë, më 6 tetor 2019. A jeni të vetëdijshëm për përgjegjësinë e madhe që keni ndaj popullit? Nëse jo, po ua rikujtoj se më shumë se që keni përgjegjësi ndaj të gjallëve të këtij vendi, ju keni borxh ndaj atyre mbi gjakun e të cilëve u ndërtua edhe Kuvendi, ku ju sot me një ngritje dore mund të na i shuani shpresat sadopak të ringjallura për një të ardhme më të mirë.
Ju edhe mund ta keni harruar, por unë dhe familja ime e përgjysmuar, edhe po të duam nuk mund ta harrojmë kurrë mesnatën e 24-25 marsit 1999. Mbi 100 plumba u zbrazën atë natë mbi trupat e babait e vëllezërve të mi. Në këto 21 vjet, si familje dëshmorësh nuk kam kërkuar kurrfarë të mire nga asnjë pushtet. Kam jetuar e punuar si qytetare e përgjegjshme. Më ka mbajtur të fortë ideali dhe krenaria se gjaku i familjarëve të mi u bë themel i lirisë dhe i shtetit të Kosovës. Madje, nuk iu kam dhënë zor as ta vëni në vend drejtësinë për ta, si vrasja e vetme politike e pazbardhur. Armiku i familjes time ka qenë gjithmonë i ditur.
Por, sot, me mënyrën se si po keqpërdoret pushteti për të realizuar ambicie personale dhe për interesa partiake e grupore unë më nuk po e di cili është armiku im dhe i këtij populli.
Nëna ime Nekibe Kelmendi, edhe pse me plagë në shpirt, vazhdoi kontributin për shtetësinë e Kosovës në partinë themeluese e së cilës ishte. Deri në frymën e fundit i qëndroi besnike edhe Lidhjes Demokratike edhe Kosovës. Me guxim atdhetar dhe intelektual ju bëri ballë jo vetëm sfidave, por edhe “ndërskamcave” ndërkombëtare dhe vendore. Betejën e fundit e pati me ish-ambasadorin Christopher Dell dhe qeverinë e atëhershme LDK-PDK, të drejtuar nga Hashim Thaçi. Përplasjet me Dellin i ka pasur pikërisht për formimin e gjykatave paralele serbe në veri të Mitrovicës, si rrezik i paralajmëruar për ndarjen e veriut të Kosovës.
Këmbëngulësia e saj me një JO të fuqishme i kushtoi me shkarkim nga posti i Ministres së Drejtësisë. Me gjithë presionet ajo nuk pranoi të japë dorëheqje. “Le të më shkarkojnë se unë nuk dorëzohem. Nuk ka pazare në kurriz të popullit tim e të Kosovës. E paguaj, jo me pozitë, por edhe me kokën time për të mirën e vendit tim”, më thoshte. Qëndrimi i saj e kishte nervozuar shumë ish-ambasadorin Dell. “E urrej këtë Nekibe Kelmendin sepse kjo krejt punët t’i prishë. Por, ju kosovarët duhet ta duani”, ju kishte thënë Delli disa bashkëpunëtorëve të tij.
Nekibe Kelmendi nuk dha dorëheqje. E shkarkuan. Asaj nuk i bënte përshtypje shkarkimi. Por e brengoste rreziku që i kanosej Kosovës. Nekibja u shkarkua, u sëmur dhe vdiq, por koalicioni LDK-PDK nuk u prish. E atëkohë, as pandemi të rrezikshme për shëndetin nuk kishte.
Sot, kur po e shoh se si po e mbron LDK-ja ministrin e saj të shkarkuar Agim Veliu, (kundër të cilit nuk kam asgjë personale), po pyetem, athua më i vlefshëm qenka dinjiteti i Agim Veliut se sa kauza të cilën e mbrojti nëna ime. Ajo nuk pati përkrahje të këtillë partiake.
E di se LDK-ja nuk është më ajo e kohës së Ibrahim Rugovës, Fehmi Aganit, Nekibe Kelmendit, Xhemajl Mustafës e shumë intelektualëve të tjerë, por dua të besoj se trashëgimia e tyre politike në LDK nuk ka vdekur plotësisht.
Të nderuar deputetë,
Para se të ngrehni dorën për ta votuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë, në kohën kur po rrezikohemi nga një armik i padukshëm, ndaluni dhe mendoni pak për peshën e vendimit që do të merrni. Kujdes se si do të mbaheni mend në histori. Mos ju hyni në hak as të gjallëve as atyre që me jetë e paguan lirinë e këtij vendi. Gjakun e familjarëve të mi nuk e fali!