Lajme
VV: Në dy vitet e fundit, mbi 173 mijë persona janë larguar nga Kosova
Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon takimet me qytetarë nëpër qytete në Kosovë.
Dje ishte në Vushtrri kurse sot, zhvilluan takim në Podujevë e Mitrovicë.
Përmes një komunikate për media kanë thënë që pjesëmarrja masive në tubimet kundër PAN-hajnisë, tregon vendosmërinë e qytetarëve të Llapit dhe të gjithë Kosovës.
“Pjesëmarrja masive në tubimin kundër PAN-hajnisë, tregon vendosmërinë e qytetarëve të Llapit dhe të gjithë Kosovës për një shtet që realizon idealet e dëshmorëve dhe përkujdeset për të tashmen e të ardhmen”, thuhet në komunikatën e LVV-së.
Sipas VV-së secila qeveri e pasluftës e ka rritur papunësinë dhe ka nxitur ikjen e rinisë nga vendi.
Tutje është thënë që për 4 vite janë larguar 173 mijë qytetarë nga vendi ynë apo 9 për qind e popullatës kurse 48 për qind e qytetarëve janë pesimistë se mund të bëhet mirë në Kosovë.
“Nga viti 2013 deri në vitin 2017 nga vendi ynë janë larguar mbi 173 mijë persona apo rreth 9% e popullsisë. Ndërkohë 48% e qytetarëve të anketuar janë pesimistë se mund të bëhet mirë në Kosovë. Kjo tregon se republikës sonë i duhet ndryshim, i duhet një qeverisje e re që i jep fund arsyeve që e shtyjnë rininë të largohet dhe rikthen shpresën së në atdheun tonë mund të punohet për një jetë më të mirë”.
Lëvizja Vetëvendosje edhe në Podujevë ka kërkuar zgjedhje të reja, ku kanë thënë që me mbështetjen e qytetarëve të kësaj komune dhe të gjithë Kosovës do të vazhdojmë të angazhohemi pa u ndalur së bashku deri në zgjedhje të reja e deri në një qeveri të ndryshimit.
“Sot në Besianë qytetarët me mbështetjen e tyre e shprehën qëndrimin kundër qeverisjes të bashkuar në PANhajni të cilët po gërryejnë shtetin, po vjedhin xhepat e qytetarëve e po punësojnë familjarë në institucione e ndërmarrje publike. Së bashku me qytetarët e Llapit e gjithë Kosovës do të vazhdojmë të angazhohemi pa u ndalur së bashku, deri në zgjedhje të reja e deri në një qeveri të ndryshimit, me mendësi shtet-ndërtuese dhe vlera të reja të qeverisjes”, thuhet në komunikatë.