Premiera e filmit “I Love Tropoja”, që bëri sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve të shkundej nga të qeshurat, u prit me shumë urime dhe fjalë të mira, sepse suksesi ishte i dukshëm. Megjithatë u përhapën dhe disa lajme të pavërteta dhe dashakeqëse, të cilat Ermali (dhe çdo njeri tjetër që ka parë filmin dhe ka kuptuar mesazhin) i hodhi poshtë.
Reperi i njohur Stresi, i cili ka parë filmin, ka bërë së fundmi një postim ku iu bën thirrje të gjithë tropojanëve që ta shikojnë gjithashtu. Ai shprehet se “I love Tropoja” është një film shumë i arrirë, i bukur dhe që ia vlen të shihet. “I love Tropoja…shikojeni pastaj gjykojeni! Të dashur patriotë, është veç një film i bukur dhe plot komedi, unë iu ftoj ta shikoni dhe jo besomëni që do iu pëlqejë! Unë e di ku e keni hallin, po kryeministri i vetëshpallur kryeministër ka dalë në film pikë për pikë siç është në jetën reale, s’do habiteni përkundrazi. Ndaj iu bëj thirrje ta shikoni sepse ia vlen! Unë e dua Tropojën sepse jam tropojan e gashjan në gjak por është veç një film komedi. Arjola dhe Ermal, punë e mirë”, shkruan reperi në një foto krahas Ariolës dhe Ermalit.
Po ashtu, Stresi iu ka kthyer përgjigje dhe ndjekësve në Instagram, duke iu sqaruar se “I love Tropoja” ka si mesazh të vetëm shpalosjen e traditave të vyera tropojane, duke mos cënuar askënd.
“Unë nuk e kam parë, po çfarë thonë se ka bërë një fragment sikur Tropoja e ka traditë t’i lërë mikut vajzën të flejë me të në shenjë respekti? Besoj nuk e ka bërë këtë Ermali”, shkruan një ndër ndjekësit. Stresi nuk ka hezituar t’i kthejë një përgjigje duke sqaruar situatën. “S’është e vërtetë aspak! Ermali çohet natën për të shkuar në banjo dhe ngatërron derën dhe futet padashje tek dhoma e vajzës dhe i ati i vajzës e dallon dhe i thotë “Ta gëzosh, do martohesh”, që do të thotë ne si lejojm këto lojra në kuptimin ne kemi nder po jo si e kanë trilluat tjerët, se të ishte ashtu nuk ishte salla plot me tropojanë në Pallatin e Kongreseve”, ka replikuar reperi.