Mediat kineze kanë publikuar pamjet e 20 pacientëve, të cilët duket se kanë shpëtuar nga koronavirusi. Ata janë duke dalë nga spitali tepër të gëzuar dhe duke festuar, pasi janë shëruar tërësisht nga sëmundja.
Një video 11 sekondëshe e publikuar në televizionin shtetëror tregon pacientët teksa dalin të letësuar nga spitali Jinyintan, në Wuhan. Ata shikohen teksa festojnë duke bërë me dorë shenjën “V” (Victory-Fitore), ndërsa në fytyrë mbajnë maska mbrojtëse.
Sipas mediave kineze, në fillim të kësaj jave një 23-vjeçar ishte personi i parë që u raportua se ia hodhi paq koronavirusit. Zyrtarisht, deri më tani, koronavirusi ka marrë 259 jetë njerëzish në të gjithë botën, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë në Kinë.
Gjithashtu mësohet se 12 mijë raste janë konfirmuar në vendin e origjinës së virusit, i cili është përhapur dhe ka shënuar rastet e para edhe në 22 shtete të tjera të botës. Dy rastet e fundit janë konfirmuar në Britaninë e Madhe, pas atyre në Itali.