Mjedisi ku jetojmë dhe zhvillojmë veprimtarinë tonë, është mjaft i rëndësishëm.
Ndotja është një ndër problemet më të mëdha që rrezikon mjedisin, ndërsa faktori kryesor është vetë njeriu dhe veprimtaria e tij.
Të shumta kanë qenë mesazhet që kanë mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku tregohet se si ndotet mjedisi nga vetë njerëzit.
Së fundmi, një qytetar nga Durrësi, i cili kishte dalë për shëtitje në një nga rezervuaret e zonës së Porto Romanos, ka mbetur i shokuar nga mbeturinat që kishin hedhur buzë ujëmbledhësit.
Siç shihet dhe në video, bregu i këtij rezervuari është shndërruar në një “kosh” mbeturinash.
Sipas qytetarit, ky vend mund të bëhej një park, por hedhja pa kriter e mbeturinave nga individë të papërgjegjshëm dhe mungesa e masave të ndërmarra nga instancat përkatëse, ka bërë që gjërat e bukura të mos vlerësohen në këtë vend.
Ky nuk është rasti i parë që të tilla pamje mbërrijnë në redaksinë e JOQ Albania, ndërsa duhet theksuar se masat e ndërmarra nga ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për mbrojtjen e mjedisit lënë shumë për të dëshiruar.