Pas disa ditësh karantine, njerëzit anembanë Italisë nisën të këndonin e të bënin muzikë nga ballkonet e shtëpive, ndërsa u bashkuan me moton: “Çdo gjë do të shkojë mirë” (Andrà tutto bene).
Tre javë më pas, kënga ka ndaluar dhe po shtohet frika për trazira sociale, pasi një pjesë e rëndësishme e popullatës, sidomos në jugun e varfër, po e kupton se gjërat nuk janë dhe aq mirë, shkruan The Guardian.
“Nuk ka më këngë dhe vallëzime në ballkone”, tha Salvatore Melluso, prift në dioqezën Caritas të Napolit, e cila bën vepra bamirësie.
“Tani njerëzit kanë frikë, jo më aq shumë nga virusi sesa nga varfëria. Shumë nuk po punojnë dhe po mendojnë tani për bukën e gojës. Në bankat e ushqimeve sheh radhë të gjata”, shtoi ai.
Në jugun e Italisë ka pasur më pak vdekje nga koronavirusi sesi në rajonet veriore, të dërrmuara prej tij, megjithatë pandemia po godet rëndë përditshmërinë e njerëzve atje. Tensionet po shtohen në Kampanja, Kalabri, Sicili e Pulja, ku njerëzit po mbeten pa ushqime dhe pa para.
Ka pasur raporte se pronarët e dyqaneve të vogla po gjenden nën presionin të japin ushqime falas, ndërsa policia po patrullon nëpër disa zona për të kontrolluar supermarketet, me qëllimin të ndalojë vjedhjet. Disa vetëpunësuar apo persona që punojnë më kontrata që nuk garantojnë përfitime sociale, kanë humbur pagat, vazhdon prestigjozja britanike, e plot biznese të vogla mund të mos hapen më kurrë.