E përmes një njoftimi, VV ka bërë të ditur se do të dalë nga qeverisja.
Vetëvendosje ka braktisur bashkëqeverisjen në komunën e Kamenicës. Kjo parti kishte fituar zgjedhjet në këtë komunë, mirëpo pas ndarjes në dy subjekte, Kamenica i kishte mbetur PSD-së dhe kryetarit Qëndron Kastrati.
E përmes një njoftimi, VV ka bërë të ditur se do të dalë nga qeverisja.
“Ne nuk mund të jemi pjesë e mashtrimit që i bëhet programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit i besuan qytetarët e komunës sonë. Nuk mund të jemi pjesë e atyre që po e vrasin shpresën e qytetarëve që një ditë mund të bëhet mirë edhe në Dardanë. Ne nuk do t’i nënshtrohemi një koalicioni të gjerë PDK-AAK-AKR-Nisma-PSD e Lista Serbe, që është formuar kundër Lëvizjes dhe po bashkëveprojnë me shpresë që do ta dëmtojnë Lëvizjen. E për fat të keq po e pësojnë qytetarët e komunës tonë. Prandaj, Kryesia e Qendrës në Dardanë (Kamenicë), mbështetur dhe nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ka marrë vendim që nga data 01.04.2018 të largohet nga qeverisja në Dardanë”, thuhet në një njoftim për media të kësaj partie.
Po ashtu, Vetëvendosje ka kërkuar edhe dorëheqjen e drejtorëve të komunës që vijnë nga kjo parti.
“…sepse nuk mund të bashkëpunojnë me dikë që ka mashtruar votuesin e vet, ia ka marrë votat një subjekti dhe e ka çuar mandatin te subjekti tjetër”, thuhet tutje aty.
VV thotë se duke e vazhduar qëndrimin në këtë qeverisje, “do të bëheshim pjesë e një keqqeverisjeje të vazhdueshme nga kryetari i Komunës dhe subjekti të cilin ai tashmë e përfaqëson. Qeverisja e Qëndronit ka bërë që të krijojë shumë zhgënjim tek qytetarët në Dardanë”.
Sipas VV-së, Qëndron Kastratit i mungon aftësia për ndërtimin e vizionit rrethe nevojave të qytetarëve të Kamenicës.
Siç thonë nga kjo parti, në Kamenicë nuk ka filluar as një përpjekje për zhvillim social e ekonomik.
“Kryetarit duket se i mungon edhe aftësia për ndërtimin e vizionit rreth nevojave të qytetarëve të Dardanës, e natyrisht edhe aftësia për ofrimin e zgjidhjeve për secilën prej tyre. Në Dardanë ende nuk ka filluar as edhe një përpjekje për zhvillim social e ekonomik, apo edhe për krijim të një ambientit të përshtatshëm për banim. Në vend të saj, të gjitha përpjekjet kanë shkuar drejt politizimit të skajshëm të administratës komunale, përfshirë këtu edhe sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Edhe ato projekte që përzgjidhen nisur nga kalkulimet politike, realizohen me cilësi shumë të dobët dhe pastaj përmes presioneve imponohet pranimi i punëve. Keqpërdorimet nuk përfundojnë as te ndarja e granteve komunale e madje as tek bursat për studentë”, thuhet në fund të komunikatës.