Lajme

“Gratë qeverisin ndryshe”/ Besa Shahini flet për politikën, të “preferuarit” e Ramës dhe për identitetin “kosovar”

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, duke folur për gazetën Mapo, e ka vlerësuar si kurajoz vendimin e PS, për hapjen ndaj qytetarëve të Kosovës që të bëjnë karrierë këtu. Ajo e thotë hapur, që do të jetë gjatë në politikën e Tiranës. Shahini flet edhe për zërat se ajo dhe Cakaj janë të “preferuarit” e Ramës, por dhe për identitetin “kosovar”.

Pjesë nga intervista- A mund të na thoni, cila është arsyeja e karrierës së suksesshme në qeveri, pasi duhet të pranojmë që nuk është pak të jesh ministre. Cilës gjë ia atribuoni këtë arritje? A e shihni veten për shumë kohë pjesë të politikës së Tiranës?

Po e marr nga fundi: po, e shoh veten gjatë në politikën e Tiranës. Një gjë është bërë e mundshme me vendimin kurajoz të Partisë Socialiste që të hapet ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe karrierat politike e kontributi shoqëror të mos jetë më i kufizuar brenda kufijve shtetërorë, por të jetë fluid. E shoh të mundshme që të shërbej në Kosovë për një kohë dhe të kthehem prapë në Shqipëri, apo edhe të shërbej në Shqipëri pa ndërprerje për të mirën e përbashkët publike.

Është një nder i madh që të shërbej në Shqipëri si ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Unë kam mbi 15 vite pune ndërkombëtare në analiza dhe advokim të politikave publike në përgjithësi, si dhe politikave arsimore në veçanti. Kjo u reflektua edhe gjatë intervistave të shumta që kisha me stafin e kryeministrit para se të emërohesha zëvendësministre.

Ajo që është impresive dhe jo e zakonshme, e cila ka mundësuar edhe ardhjen time në Shqipëri, është vendimi i kryeministrit që në kabinet qeveritar të ketë profesionistë të fushave që qeverisin dhe të ketë më shumë gra se burra. Jo vetëm në Ballkan, por as në BE, nuk ka qeveri të përbërë me një shumicë kaq të madhe të grave. Nga 13 ministri, 8 udhëhiqen nga gratë. Kjo është një arritje e madhe. Gratë qeverisin ndryshe dhe Shqipëria do të jetë tjetër për shkak të grave që udhëheqin në qeveri.

Zonja ministre, nëse më lejoni edhe disa pyetje për profilin tuaj politik dhe publik. Së pari, në publik krijohet përshtypja se kryeministri ka një marrëdhënie më të kujdesshme, preferenciale me ju dhe ministrin e Jashtëm, krahasuar me ministrat e tjerë. A vjen kjo për shkak se jeni të rinj, ende të paambientuar me politikën e Tiranës?

Unë kam një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi, përtej të zakonshmes, me të gjithë kabinetin qeveritar, përfshirë kryeministrin dhe stafin e tij, pikërisht për shkak të “Paktit për Universitetin”. Masat që kemi ndërmarrë për arsimin e lartë nuk janë vetëm të MASR, por nga të gjitha ministritë. Me Anilën (Ministren e Financave dhe Ekonomisë) kemi patur shumë diskutime për realizimin e pakos financiare që nuk ishte parashikuar për buxhetin e vitit 2019, por të cilën u desh ta përfshinim ndërkohë.

Me Blendin (ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural) kemi punuar ngushtë për marrëveshjen me Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ndërsa me Belindën (ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë) jemi përpjekur shumë për të vendosur të gjithë instrumentin financiar të parashikuar për rrugën “Thumanë-Kashar” në dispozicion të universiteteve për të investuar në kampuset universitare.

Kryeministri ka qenë i përfshirë ngushtë në ndërtimin e “Paktit për Universitetin”, ngaqë protesta e studentëve ishte protestë e vërtetë universitare që duhet të sjellë ndryshim në politikëbërje. Unë mora përsipër të udhëheq Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në një moment shumë të vështirë, por që ngërthente në vetvete të gjithë mundësinë për transformim rrënjësor të universiteteve. Kjo nuk do të ndodhë në rast se nuk përfshihet intensivisht e gjithë qeveria, përfshirja e së cilës më bën të ndihem mirë.

Në Kosovë ka një debat, ose një pretendim për identitet kosovar, të ndryshëm nga ai shqiptar. Çfarë mendoni ju për këtë temë?

Kjo është një temë delikate dhe më duhet të kujdesem se si të përgjigjem. Identiteti kosovar, në një rrafsh është i vërtetë dhe real, ndërsa në një rrafsh tjetër është vetëm sajesë e rrymave të ndryshme politike për njerëzit që jetojnë në Kosovë. Politikëbërësit jugosllavë kanë patur gjithmonë synim që të reduktojnë identitetin, kulturën dhe gjuhën shqipe duke identifikuar shqiptarët e Kosovës si të tjerë nga ata të Shqipërisë. Rrjedhimisht, janë munduar të zbehin lidhjet e natyrshme mes shqiptarëve duke na parë gjithmonë si rrezik për idenë e Jugosllavisë me shumicë popullsie sllave.

Pas luftës, në emër të konceptit të shtetit multietnik, të njëjtën politikë e kanë ushqyer fuqishëm edhe udhëheqësit ndërkombëtarë të Kosovës. “Kosovarët” ishte termi që përdorej për shtetasit e Kosovës, si ata shqiptar ashtu edhe ata serb. Me të vetmin dallim që serbët nuk është se e përbrendësuan termin “kosovar” – ata vazhduan ta quajnë veten vetëm serb – ndërsa një pjesë e shqiptarëve me bujari pranuan të quhen “kosovarë”, gjithmonë duke aluduar më shumë te shtetësia. Edhe pse ka një grup të vogël të opinionbërësve në Kosovë që mundohen ta ndërtojnë konceptin e ‘kombit’ kosovar, me të cilët kam mospajtime të fuqishme.

Aty ku mendoj se identiteti i shqiptarit të Kosovës ndryshon nga shqiptari i Shqipërisë është te socializmi disadekadash që ka ndodhur plotësisht i ndarë mes dy vendeve. Unë dhe një bashkëmoshatar i imi në Shqipëri kemi patur eksperienca krejt të ndryshme si fëmijë – kemi parë emisione të tjera në televizor: ai ka mësuar italishten si gjuhë të dytë, ndërsa unë serbishten. Kështu që, ky dallim ekziston, por po zbehet me secilën gjeneratë ngaqë po afrohen gjithmonë e më shumë njerëzit mes vete.

Gjuha është dallimi kryesor që kemi: unë flas shqipen standarde, por me elemente të gegërishtes, njëlloj si dikush në Shkodër apo Dibër, por shumica flet shqipen me elemente të toskërishtes. Për mua është pozitiv fakti që lejojmë dhe promovojmë diversitetin gjuhësor në shkolla, televizione apo hapësira të ndryshme publike. Rrjedhimisht, çuditem kur ish-deputetët e opozitës të cilët braktisen parlamentin, më sulmojnë rregullisht për mënyrën se si e flas gjuhën shqipe. Gjë që për mua shfaq njëfarë racizmi të brendshëm që ata ndiejnë ndaj një pjese të popullit shqiptar – një pjese të votuesve të vetë, se PD ka shumë votues që flasin si unë – të cilin unë nuk e kuptoj dhe e dënoj fuqishëm. Diversiteti është pasuri edhe unë ndihem mirë që në qeverinë shqiptare ka dy ministra që flasin pakëz më ndryshe se shumica.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

MË TË LEXUARAT

To Top