Ndihmës infermierja shqiptare që punon e jeton në Itali, Valbona Kalaj në një komunikim live për “Abc News” ka treguar situatën e rëndë atje dhe historinë prekëse të ndarjes së një gruaje me bashkëshortin nga urgjenca e spitalit, ku fatkeqësisht ai pas 5 ditësh kishte ndërruar jetë.
“Ka pasur raste që mjekët kanë aplikuar protokollin e luftës ku një i dëmtuar më shumë nuk ka shpresa për jetën dhe ai i dëmtuari më pak t’i japim një shans për jetën. Kjo është hera e parë që unë kam parë që mjekët e kanë të vështirë për ta përballuar këtë realitet. Më e vështirë për ti thënë një të afërmi se pacienti ka koronavirus sesa tumor. Unë kam një rast konkret në këto ditë që ishte kjo lloj situate, një paciente që kishte të shtruar të shoqin më thërret. Kur shkova aty e gjeta pacientin duke u dridhur me ethe të larta.
E shoqja më tha se kishte marrë urgjencën në telefon por nuk i ishte përgjigjur askush pasi i kishte thënë se pacienti ishte operuar për tumor në kokë dhe nuk i kanë dhënë rëndësi. Në atë kohë unë sikur e parashikova se situata ishte ndryshe dhe pse unë nuk jam mjeke por pak njohuri të përfituara në bazë të ekzperiencës dhe i kuptojmë disa simptoma.
Mora urgjencën në telefon dhe i tregova simptomat. Bëhet fjalë për një pacient 67 vjeç që ishte operuar në kokë dhe pasi e ka marrë urgjenca, aty ka qenë dhe përshëndetja e fundit me gruan, pasi nuk u lejua që ajo të futet më. Pacienti ka qenë i veshur me pizhamat e shtëpisë në momentin që është dorëzuar në urgjencë. E shoqja që atë ditë nuk e ka parë më dhe një ditë më pas e ka njoftuar se është i infektuar me koronavirus. Gruaja që nga momenti që e ka dorëzuar në urgjencë dhe pas 5 ditësh kur ai ka ndërruar jetë nuk e ka parë më të shoqin pasi dhe ajo vetë ka qenë në karantinë. Kjo është e tmerrshme pasi në këtë situatë nuk mund të shikosh më as të afërmit, tashmë nuk ka më as vend për varre dhe një pjesë e tyre tashmë digjen. Komunat u japin informacione se ku janë dërguar trupat e pacientëve dhe pse mund të marrin informacione mund të jenë larg. Ka raste ku viktimat mund të jenë shumë larg siç është realiteti i Bergamos ku unë jetoj ku familjari për të dërguar një lule duhet të shkojë 200 metra lart. Realiteti i Bergamos është një tragjedi pasi është një kaos në spitale”, tregoi Valbona.