Pas izolimit të vendit, shumë punëtorë në Indi mbetën në qytete të tjera, larg familjeve të tyre. Mediat indiane raportojnë se disa prej tyre e kanë marrë me këmbë rrugën e kthimit në shtëpi duke mos patur asnjë zgjidhje tjetër. Fatkeqësisht një emigrant që po shkonte në Morena, Madhya Pradesh, ka humbur jetën gjatë rrugës.
39-vjeçari ka udhëtuar gati 200 km në këmbë nga New Delhi për në Madhya Pradesh. Sipas policisë, viktima ndërroi jetë në Agra si pasojë e atakut në zemër i shkaktuar nga lodhja e tepët.
Viktima, Ranveer Singh ishte pikasur nga një shitës i cili kishte shkuar për ta ndihmuar. 39-vjeçari ishte ankuar për dhimbje në kraharor dhe kishte telefonuar kunatin e tij.
Ranveer Singh punonte për një restorant në Delhi. Ai ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë. Familja e tij jetonte vetëm me rrogën që sillte 39-vjeçari.