Në një lidhje në Skype për programin “Rudina” në Tv Klan ishte këngëtarja e njohur Nora Istrefi.
Nora njihet për hitet e bukura që sjell dhe për energjinë pozitive që përçon në çdo dalje të saj publike. Ajo jeton në Kosovë dhe që nga momenti që vendi i saj mori masa për të parandaluar pandeminë, këngëtarja qëndron në shtëpi së bashku me vajzën Renee.
Ditën e mërkurë, Nora kishte ditëlindjen por nuk ka patur mundësi të organizojë diçka si pasojë e situatës.
Nora Istrefi: E mira e gjithë kësaj ishte që isha pranë vajzës, edhe familjarëve të mi, kjo ishte një gjë shumë e mirë përndryshe nuk kishim pasur mundësi që të organizojmë diçka, as të festojmë, as të ftojmë dikë, nuk kishte festë. Por shpresojmë që të dalim sa më parë dhe të festojmë çdo festë, se tani po ja dimë vërtetë vlerën jetës.
Për sa i përket vetëkarantinimit, këngëtarja shprehet se deri tani nuk e ka ndjerë shumë izolimin, por mendon që e vetmja mënyrë si ta kalojmë këtë situatë është të mendojmë pozitivisht.
Nora Istrefi: Me thënë të drejtën për momentin jo keq, sepse ndoshta është edhe pak herët, por po më duket pak si pushim. Po rrimë bashkë me vajzën, po luajmë, po vallëzojmë, po ngjyrosim, po bëjmë çfarëdolloj gjëje për t’u argëtuar dhe për mos u mërzitur. Në ditët në vijim të shohim nuk e di. Mbase do mërzitemi pak, por mendoj që e vetmja mënyrë si ta kalojmë këtë situatë është të mendojmë pozitivisht, që shumë shpejt të mbarojë kjo gjë dhe të dalim shëndoshë e mir֝ë pa probleme.