Deri në përfundim të këtij viti shkollor do të shtohen patrullat policore në shkolla. Vendimi është marrë sot nga Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi në bashkëpunim me ministrin e punëve të brendshme Ekrem Mustafa.
Ministri Bytyqi përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se gjithashtu do të bëjnë edhe krijimin e Task Forcës për parandalimin e përdorimit të narkotikëve dhe shtimin e sigurisë në shkolla.
“Pas shumë diskutimeve rreth marrjes së përgjegjësive nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit dhe sigurisë, kemi ardhur në përfundim që, zgjidhje afatshkurtër deri në përfundim të vitit shkollor, të jetë shtimi patrullave policore në shkolla dhe hartimi i planit për kontroll rutinore të nxënësve nga drejtorët e shkollave, për të cilin plan policia duhet të njoftohet përmes DKA-ve. Me ministrin Mustafa, përfaqësuesin e Policisë dhe Kolegjiumit të DKA-ve, po ashtu, u pajtuam që pas përfundimit të vitit shkollor të bëhet krijimi i Task Forcës për parandalimin e përdorimit të narkotikëve dhe shtimin e sigurisë në shkolla”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.
Shkrimi i plotë:
“Në kuadër të angazhimeve për gjetjen e një zgjidhjeje për shtimin e sigurisë në shkolla, kam ftuar sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ekrem Mustafa me bashkëpunëtorë, drejtorin e operacioneve në Policinë e Kosovës, z. Afrim Ahmeti dhe zëvendëskryetarin e Kolegjiumit të Drejtorive Komunale të Arsimit, z. Blerim Thaqi.
Pas diskutimeve në lidhje me aktet e dhunës në shkolla, të raportuara kohëve të fundit, kam kërkuar bashkëpunimin e të gjithë akterëve relevantë të pranishëm në takim, me të cilët edhe kemi arritur konkluzione të cilat do të qojnë drejt një zgjidhjeje të përshtatshme për eliminimin e kësaj dukurie.
Pas shumë diskutimeve rreth marrjes së përgjegjësive nga përfaqësuesit e institucioneve të arsimit dhe sigurisë, kemi ardhur në përfundim që, zgjidhje afatshkurtër deri në përfundim të vitit shkollor, të jetë shtimi patrullave policore në shkolla dhe hartimi i planit për kontroll rutinore të nxënësve nga drejtorët e shkollave, për të cilin plan policia duhet të njoftohet përmes DKA-ve.
Me ministrin Mustafa, përfaqësuesin e Policisë dhe Kolegjiumit të DKA-ve, po ashtu, u pajtuam që pas përfundimit të vitit shkollor të bëhet krijimi i Task Forcës për parandalimin e përdorimit të narkotikëve dhe shtimin e sigurisë në shkolla.
Në këtë takim, po ashtu kam ftuar Drejtoritë Komunale të Arsimit që të kërkojnë nga drejtorët e shkollave të mbajnë mbledhje urgjente me prindër, për të diskutuar sigurinë në shkolla dhe planet për ta përmirësuar atë dhe të kërkohet nga drejtorët e shkollave të raportohen të gjitha rastet e dhunës apo incidentet në polici”, ka shkruar Bytyqi.