Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndarë 800 mijë euro për rihartimin e projektit për hidrosistemin Kikë – Kremenatë, i cili është në fazën e përfundimit të instalimit të ujëmatësve.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi në një diskutimin publik me qytetarët e Kamenicës për projektin “Hidrosistemi Kikë – Kremenatë”, tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të ndryshojë gjendjen dhe beson se ky proces do të përmbyllet me sukses.
Matoshi: 800 mijë euro për hidrosistemin Kikë – Kremenatë
“Ne jemi në fazën e hartimit të projektit kryesor të hidrosistemit Kikë – Kremenatë. Ka qenë një projekt në vitin ’84, i cili tash po revidohet. Ministria e Mjedisit për këtë vit ka ndarë një buxhet prej 800 mijë euro për të rihartuar atë projekt detal që është. Atë duhet plotësuar sepse gjërat kanë ndryshuar prej ’84-ës, kërkesat kanë ndryshuar, teknologjia ka avancuar dhe ne duhet t’ia përshtatim atë projekt kërkesave të sotme. Për këtë, ne është dashur të kemi një përllogaritje të përafërt të ujit, sa ujë mund të akumulohet gjatë një viti, sa ka të reshura e kështu me radhë. Për të zënë hapin me kërkesat edhe të investitorëve, edhe të financuesit që në këtë rast është Banka Botërore, ne këto ditë veç jemi në fazën përfundimit për instalimin e ujëmatësve”, tha ai.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se çështja e ujit në këtë komunë mund të zgjidhet vetëm me ndërtimin e tri hidrocentraleve të parapara.
Kastrati: Çështja zgjidhet me ndërtimin e pendave dhe tre ujësjellësve
“Vitet e kaluara është paraparë strategjia për zhvillimin e ujërave 2017 – 2036, që parashihen të ndërtohen në Komunën e Kamenicës 3 vende ku do të mblidhen ujërat, sepse është e domosdoshme që të sigurojmë ujë të pijes dhe ujë për bujqësinë. E në këtë aspekt, për fat të mirë, tash jemi në një fazë që ende nuk është vendosur shumë mirë por, jemi në hap shumë të mirë për një gjë të tillë… Ky projekt ka qenë i paraparë të ndërtohet edhe me disa fonde tjera dhe fatkeqësisht mendësia në Kosovë ka bërë që të merren këto mjete prej Kamenicës, komunës më të varfër në Kosovë dhe kanë synuar t’i çojnë në komunën e Drenasit. Por, jam shumë falënderues dhe konsiderojmë me fat që Qeveria e Kosovës e ka bërë një kërkesë tek banka botërore, e kjo e fundit ka shprehur një disponim dhe gatishmëri dhe që vlerësimi i tyre ka me qenë profesional dhe shpresoj që do të realizohet një projekt i tillë në komunën e Kosovës. Është me rëndësi që të zgjidhet çështja e komunës së Kamenicës dhe komunës së Ranillukut, duhet të ndërtohen të tri pendat dhe tre ujësjellësit”, u shpreh ai.
Kryeshefi i Agjencionit Kadastral të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se Kamenica është një ndër komunat bashkëpunuese me staf kompetent, gjë që tha se e bënë të besojë në implementimin e suksesshëm të këtij projekti.
Ahmeti: Falë ministrit Matoshi janë përzgjedhur 5 fshatra aktive
“Për sistemin e adresave janë zgjedhur vetëm 4 adresa, ndër to është edhe komuna e Kamenicës. Do të thotë me pjesën e ndërtimit të informacioneve kadastrale, gjithashtu në komplet territorin janë 5 fshatra. Dhe, falë përkushtimit edhe falë kërkesave edhe të ministrit Matoshi janë përzgjedhur këto 5 fshatra më aktive. Të gjitha proceset dhe punët sa i përket informacioneve kadastrale, d.m.th. rregullimin e çështjeve pronësore-juridike, do të përfundohen pa pagesë dhe besoj që është një punë shumë e të madhe që është duke u bërë për shkak të vlerës dhe kostos që kanë”, u shpreh Ahmeti.
Këshilltari Ndërministror i ujërave, Baton Begolli, tha se parashihet që në vitin 2050 gjendja e ujërave në Kosovë do të jetë edhe më e keqe. Ai tha se Kosova bënë pjesë në shtetet me stres ujor, e për të evituar këtë, theksoi se duhet t’i jepet vëmendje e madhe fokusimit në rezervat ujore.