30 mjekë shqiptarë u nisën sot për në Itali, për të ndihmuar në luftën kundër Koronavirusit. Italia është një nga vendet më të prekura nga pandemia ku numri i viktimave ka kaluar 10 mijë. Nisja drejt Italisë e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
“Shqipëria, një nga vendet më të varfëra në Europë, dërgoi një ekip mjekësh dhe infermierësh në Italinë fqinje për ta ndihmuar për pandeminë e koronavirusit”, shkruan REUTERS duke përmendur që edhe Italia e ka ndihmuar Shqipërinë gjatë historisë.
New York Times shkruan ndër të tjera: “Qeveria e kryeministrit Edi Rama do të paguajë 11 milion lekë për të paguar 30 vullnetarët që do të punojnë për një muaj në zonën e Bergamos”.
Gazeta më e madhe greke Kathimerini shkruan: “Roma ka ndihmuar Shqipërinë në krizat me të cilat është përballur që nga rënia e regjimit komunist në fund të viteve 1980, dhe Tirana i sheh ndihmat tani si një mundësi për të ‘shlyer’ këtë borxh, edhe nëse kontributi i tyre është i vogël”.
Gazeta e njohur italiane Il Messaggero shkruan: “Shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun e tyre në vështirësi”, me këto fjalë kryeministri shqiptar Edi Rama shoqëroi largimin e ekipit prej 30 mjekësh dhe infermierësh për në Itali”.