Dy kompaninë që kryesojnë listën e kontraktorëve më të mëdhenj të shtetit më 2019 janë pikërisht Fusha dhe Gjoka.
Me anë të një artikulli të publikuar nga “Reporter.al”, njihemi me 10 kompanitë që kryesojnë këtë listë.
Mësohet se në vend të tretë është kompania ALB – STAR, e cila arkëtoi 2.3 miliardë lekë ose afërsisht 19 milionë euro.
Kjo është gjithashtu një kompani ndërtimi rrugësh ndërsa paguesit kryesorë janë Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë, e cila ka paguar një kontratë prej 347 milionë lekësh për ndërtimin e një parkingu nëntokësor në Sheshin Italia në Tiranë, thuhet në shkrim.
Së fundmi, në vend të katërt dhe të pestë janë 4 A-M dhe Alba Konstruksion.
Kompania Fusha nën pronësinë e biznesmenit Shkëlqim Fusha arkëtoi 3.9 miliardë lekë (rreth 32.5 milionë euro), duke u renditur i pari në listën e kontraktorëve më të mëdhenj të shtetit shqiptar gjatë vitit 2019. Fusha mban këtë pozicion për vitin e dytë radhazi, pasi pati arkëtuar 3.5 miliardë lekë më 2018 ndërsa në vitin 2017 ishte kontraktori i pestë më i madh me 2.8 miliardë lekë të arkëtuara. Fusha ishte e angazhuar gjatë vitit të kaluar në një mori projektesh ndërtimore si dhe në shërbime pastrimi, ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë ishin punëdhënësit kryesorë të kësaj kompanie. Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, Fusha ka arkëtuar nga Bashkia Tiranë dhe institucionet nën varësi të saj, të tilla si Tirana Parking, rreth 1.4 miliardë lekë gjatë vitit të kaluar ndërsa ka arkëtuar edhe rreth 2.2 miliardë lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Fusha u vu nën vëmendjen e publikut në vitin 2018 kur qeveria e Kryeministrit Edi Rama propozoi një ligj special të shumëdebatuar në Kuvendin e Shqipërisë në të cilin kjo kompani paracaktohej si fituese pa garë e një koncesioni përmes të cilit qeveria jep tokë publike për pallate në shkëmbim të një ndërtese të re të teatrit kombëtar. Por më vonë në vitin e kaluar, Fusha u ekspozua në publik si financues i një udhëtimi në Barcelonë të nënkryetarit të Bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku, gjë që u shoqërua me regjistrimin e një kallëzimi penal për shpërdorim detyre dhe korrupsion, shkruan “reporter.al”
Fusha rezulton kontraktori më i madh i punëve publike përgjatë katër viteve të fundit me pagesa totale prej 12.3 miliardë lekësh për periudhën 2016-2019 (rreth 100 milionë euro).
Gjatë vitit 2019, në vend të dytë u rendit kompania Gjoka 87, një kompani e krijuar nga Gjoka Konstruksion pë zbatimin e kontratës së koncesionit për ndërtimin e rrugës së Arbrit. Gjoka 87 ka marrë dy pagesa nga buxheti i shtetit, e para në janar 2019 me vlerë 2.5 miliardë lekë ndërsa e dyta më 2 dhjetor 2019 me vlerë 630 milionë lekë.
Gjoka fitoi tenderin në vitin 2018, hapi kantierin në korrik të atij viti ndërsa rezultoi se në janar 2019 ka realizuar 25% të punimeve. Kompania, hodhi një propozim të pakërkuar për koncesion në prill të vitit 2017 dhe qeveria e pranoi ofertën duke i dhënë 10 pikë bonus. Në garën e zhvilluar në tetor të atij viti, vetëm kompania Gjoka u paraqit me një ofertë për ndërtimin e rrugës me vlerë 33.6 miliardë lekë dhe rrjedhimisht fitoi koncesionin. Në shtator të vitit 2019, Autoriteti Rrugor Shqiptar akuzoi Gjokën për mashtrim ndërsa Gjoka akuzoi drejtoreshën e asaj kohe të ARRSH për manipulim tenderi.
Në vend të tretë për vitin e kaluar u rendit kompania ALB – STAR, e cila arkëtoi 2.3 miliardë lekë ose afërsisht 19 milionë euro. Kjo është gjithashtu një kompani ndërtimi rrugësh ndërsa paguesit kryesorë janë Autoriteti Rrugor Shqiptar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë, e cila ka paguar një kontratë prej 347 milionë lekësh për ndërtimin e një parkingu nëntokësor në Sheshin Italia në Tiranë. Alb – Star është një kompani nën pronësinë e tërthortë të biznesmenëve Sadik dhe Idajet Ismailaj.
Përfituesi i katërt më i madh i vitit 2019 është kompania me emrin 4 A-M. Kjo kompani, arkëtoi 2.1 miliardë lekë ose afro 18 milionë euro nga një numër i madh institucionesh, nga Bashkia Tiranë te Bashkia Kamëz apo Autoriteti Rrugor Shqiptar. Kjo kompani është themeluar në vitin 2009 dhe është nën pronësinë e Ardit Metaliaj. E njëjta kompani ka arkëtuar nga buxheti i shtetit 1.5 miliardë lekë më 2018 dhe 1.7 miliardë të tjera më 2017.