Kuvendi i Deçanit në seancën e saj të thirrur si të rregullt, edhe pse nuk ishin përfill procedurat ligjore, ka aprovuar iniciativën e Kryetarit të Komunës për financimin e projekteve të bashkëpunimit ndërkomunal, me komunën e Pejës, Gjakovës dhe Junikut. Në Seancën e kryesuar nga Haki Shehaj, disa nga këshilltarët kishin bërë vërejtje për mos përfillje të procedurave ligjore, e disa as që kishin vëmendjen se çka po diskutohet apo miratohet.
Fillimisht, këshilltari Mon Selmonaj, ka bërë vërejtjen pse seanca nuk ka respektuar procedurat ligjore, ku qartë përcaktohen afatet kohore për thirrje të seancës së rregullt, apo asaj të jashtëzakonshme. Pos kësaj, Selmonaj ka kërkuar sqarim, pse këshilltarëve komunal nuk iu është ofruar asnjë lloj materiale që do arsyetonte thirrjen me kaq urgjencë të seancës. Njëjtë si Selmonaj ishte deklaruar edhe kolegu i tij, Rifat Stojkaj, duke kërkuar që paraprakisht të shqyrtohet ligjshmëria e pastaj të merren vendime. Ndërkaq, këshilltari Fatmir Kurmehaj duke fol në emër të grupit të tij politik, ka thënë se e mbështet iniciativën e kryetarit ngase është për interesa qytetare, edhe pse ka shkelje ligjore procedurale.
Në arsyetimin e tij, kryesuesi Shehaj, ka thënë se rasti ishte i tillë që na shtyu të thërrasim urgjentisht këtë seancë, ngase kishim të bëjmë me financim të projekteve nga të cilat do përfitojnë qytetarët e Deçanit. Për më shumë, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ramë Melaj, ka arsyetuar thirrjen me urgjencë të seancës, ngase ka të bëj me realizimin e projektit për ndërtimin e urës që lidh dy fshatra (Vranoc i madh dhe Vranoc i vogël), si dhe ndërtimin e disa rrugëve që lidhin fshatrat e Deçanit me Pejën, Gjakovën dhe Junikun.
Por, jo gjithë këshilltarëve komunal iu interesonte çështja për të cilën diskutohej dhe duhej të aprovohej, ngase dy këshilltare kishin qenë të “etshme” për njëra tjetrën, gjë që kishin penguar edhe kolegut e tyre nga zhurma që krijonin. Njëri nga këshilltarët ishte detyruar t’ua tërhjek vërejtjen dhe t’iu kërkon që mos ta pengojnë me bisedën e tyre të gjithëkohshme.
Këshilltarët komunal, po ashtu kanë përkrahur kërkesat e dy klubeve sportive për financim nga buxheti komunal, që sado pak t’ua plotësojnë kushtet në garat e tyre dhe arritje të sukseseve.