Problematika e radhës e çon emisionin “Stop” në Kamëz.
Muharrem Toçilla është drejtuar në “Stop”, pasi në vitin 2018 për efekt dokumentesh, ka kërkuar ndryshimin e mbiemrit të vajzërisë së gruas, pasi ishte gabim dhe përveç mbiemrit… iu ndryshua edhe emri.
Që prej vitit 2018 nuk po gjen një zgjidhje. Mbiemri i vajzërisë së gruas figuronte gabim nga Basha në Boko. Gjendja civile, duke kërkuar dokumente të vjetra, kishte regjistruar emrin Zatije, ndërkohë që vite me radhë ajo e kishte emrin Zotije në të gjitha dokumentet, që kur ishin vendosur në Kamëz.
Muharremi tregon se me emrin Zotije kishte bërë dokumentet italiane. Për efekt pensioni zhvilluan një gjyq, ku u sanksionua emri Zotije.
Ndërkohë tani gjendja civile i ka kthyer emrin Zatije, pra emrin, që ka pasur që nga lindja, duke i krijuar kështu problem në dokumentet italiane.
“Nuk përputhen me dokumentet që disponojmë ne. Tani nuk gjej mirëkuptim për ta rregulluar këtu. Nuk mund të bëjmë dokumente në Itali sepse fëmijët kanë emrin e nënës Zotije, në çdo bankë, në çdo kartë… kudo”, shprehet Muharrem Toçilla.
“Stop” u interesua në gjendjen civile, ku iu tha se sipas ligjit nuk ndryshohet emri, pasi është kërkuar në dokumente fillestare, edhe pse gabimi është bërë nga ish-punonjës të gjendjes civile.
Gazetarja: Zonja ka figuruar gjatë gjithë kohës me emrin Zotije, ndërkohë që emrin e lindjes, e ka Zatije.
Punonjësja: Jo gjithë kohës, të lutem!
Gazetarja: Gjithë kohës!
Gazetarja: Gabimisht i është vendosur Zotije dhe duke bërë të gjitha dokumentat me emrin Zotije…
Punonjësja: Po, dhe në bazë të ligjit 1129, datë 11.05.2009, i ndryshuar, bëhen.., janë bërë gabime materiale. Mblidhet i gjithë dokumentacioni. Deri tani vonë ka qenë nga vetë personi. Tani mblidhen edhe nga punonjësit e zyrave të gjendjes civile. Vazhdimisht shtetasi ka ardhur dhe ka bërë kërkesa të vazhdueshme, për ta bërë edhe një herë gabim, por besoj, se udhëzimet pasardhëse nuk kanë veprim prapaveprues për veprimet, që janë kryer me udhëzime të tjera.
Gazetarja: Edhe në momentin që i prish punë juridikisht?
Punonjësja: Nga momenti…, të lutem zonjë! Pavërtetësia e një dokumenti me vërtetësinë e një dokumenti, bëhet në bazë të ligjeve dhe të akteve nënligjore.
Gazetarja: Nuk merret parasysh edhe kur i prish punë juridikisht, pasi i ka të gjitha dokumentet në atë emër?
Punonjësja: Në momentet, që ka pretenduar për gabimet, shtetasi është paraqitur pranë gjendjes civile Kamëz, ka ngritur pretendimet e tij dhe në bazë të të gjithë dokumentacionit, i është interpretuar, që përveç kësaj, ju keni gabim edhe këtë gabim. Shkresa dërgohet në Drejtorinë e përgjithshme të gjëndjes civile. Në veprimet, që nga vendosja në gjendjen civile Kamëz me leje banimi, është hedhur gabim materiali.
Gazetarja: Pas sa vitesh është ndryshuar emri?
Punonjësja: Në momentin, që ka pretenduar shtetasi…
Gazetarja: Që të ndryshonte mbiemrin.
Punonjësja: Ka pretenduar shtetasi për gabimet materiale, në atë moment.
Gazetarja: Pas 30 vitesh?
Punonjësja: Atëherë e ka ngritur, se zyra e gjendjes civile, nuk ka, ku e verifikon për momentin.
Gazetarja: Pretendon, që do atë emër.
Punonjësja: Po nuk është me dëshirë.
Gazetarja: S’është me dëshirë, po unë kam gjithë dokumentet, i bie që mua më digjen dokumentet italianë në këtë mënyrë.
Punonjësja: Një rend kronologjik.
Gazetarja: Po që unë nuk i kam kërkuar apo jo?
Punonjësja: Deri në momentin, që zonja ka ardhur në Kamëz, e ka emrin Zatije, se i është bërë gabim.
Gazetarja: Po nga zyra juaj i është bërë gabim.
Punonjësja: Të lutem , ajo është bërë nga një ish-punonjës. /tvklan.al